Berisha “non grata”, Rama: I fokusuar te mandati i tretë




Berisha “non grata”, Rama: I fokusuar te mandati i tretë

11:21 26/05/2021

“Të vendosur të lëmë pas telenovelën politike të ditës”

Në të parën herë që Kryeministri Edi Rama është pyetur për shpalljen “non grata” nga Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken të ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij, kreu i qeverisë shqiptare ka shmangur çdo replikë. Rama thotë se është i fokusuar te puna e mandatit të tretë dhe jo te përplasjet politike.

“Jam 100% i fokusuar tek punë ne se kemi ndalur punë asnjë ditë gjatë fushatës dhe pas fushatës se s’ka kohë për pushim. Jam i vendosur që ne të nisim një rrugë të re në aspektin e komunikimit publik dhe të shmangim të gjitha ato aspektet që e kanë kthyer për shumë vite jetën politikë të vendit në një telenovele rraskapitëse”.

Rama tha se më shumë se temat politike të ditës i interesonin procesi i vaksinimit apo ai i rindërtimit ndërsa paralajmëroi prezantimin e një programi të angazhimeve konkrete në 4 vitet e ardhshme.

“Për mua ka shumë më tepër rëndësi sesa vaksina kryhen gjatë ditës, sa përparojnë kantierët e ndërtimit, sesa angazhimet tona përmbushen pak nga pak, e hap pas hapi me të gjitha vështirësitë. Ne jemi duke punuar intensivisht për mandatin e tretë dhe do të dalim para shqiptarëve me programin e angazhimeve konkrete me kongresin tonë të 12 Qershorit”.

Që prej 19 Majit kur Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi vendimin për ish-Kryeministrin Berisha mazhoranca ka qenë e rezervuar me komente për këtë temë. Vetë Berisha i konsideroi akuzat politike dhe paralajmëroi një padi për shpifje ndaj Sekretarit Blinken.   

Tv Klan





Të ngjashme