Muaji Dhjetor është dekoruar me dritat festive dhe me një sërë aktivitetesh humanitare, në qendër të së cilave ishin personat me aftësi të kufizuara, dhuna me bazë gjinore apo dërgimi i festës tek fëmijët përmes një dhurate apo një kartoline. Kartolina ishte edhe këtë vit kryefjalë e Postës Shqiptare, 3000 të tilla janë shpërndarë nga Posta Shqiptare me pikturat fituese të nxënëse të Institutit të nxënësve që nuk flasin e nuk dëgjojnë dhe të Institutit të nxënësve që nuk shikojnë. Salsano Rrapi, Bes Kallaku, Fiori Dardha e shumë të tjerë ishin në ambientet e Institutit për të ndarë certifikatat për fituesit në konkursin e pikturës.

Bes Kallaku: Ky institucion i fëmijëve që nuk shikojnë dhe nuk dëgjojnë duhet të bjerë në veshët e atyre që dëgjojnë, por janë të shurdhët dhe në sytë e atyre që shohin, por janë të verbër.

Fiori Dardha: Sot ishte nisma e Postës Shqiptare që na bashkoi të gjithëve, po unë besoj se duhet të jetë një institucion që të mbështesë çdo fëmijë me aftësi të kufizuara.

Salsano Rrapi: Gjuhën e shenjave e kam mësuar që i vogël sepse shoku im i ngushtë kishte një shok që nuk dëgjonte dhe nuk fliste, por fliste me gjuhën e shenjave dhe avantazhi ka qenë se unë me shokun tim flisnim me njëri-tjetrin dhe asnjë nuk na kuptonte dhe gjëja më e bukur ishte kur më pëlqente ndonjë vajzë dhe e dinte vetëm ky dhe asnjë tjetër. Në fakt unë jam një nga njerëzit që më pëlqen që përveç humanizmit që kam, por që nuk më pëlqen kurrë që ta marrin vesh të tjerët që unë po bëj diçka të mirë dhe e pranova me shumë kënaqësi ftesën që më bëri Ervini për të dhënë çmimet e kartolinës më të mirë./tvklan.al