Besëlidhja e Lezhës është shpallur sot kampione e kategorisë së dytë dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në kategorinë e parë. Takimi final ka qënë i nivelit të ulët teknik por mjaft luftarak dhe emocionues madje shpesh herë dhe nervozitet i theksuar. Fillimi i lojës u ka takuar kavajsëve të cilët kanë qënë më të organizuar dhe i janë afruar portës së kundërshtarit më shpesh. Në minutën e 18-të Demneri ka shënuar në portën e lezhjanëve dhe gjithçka është bërë më e lehtë për Besën.

Pa mundur të ngjiten në nivelin e duhur, loja është bërë e acaruar dhe viktima e parë është kavajasi Ypi i cili përveç gjakut në fytyrë ka marrë dhe karton të verdhë nga gjyqtari Pregja. Tifozët kavajas për një çast kanë braktisur thirrjet për skuadrën e tyre. Në mënyrë graduale lezhjanët marrin frenat e lojës në dorë dhe pjesa e dytë dominohet prej tyre.

Në minutën e 75-të, djemtë e Vasil Bicit kanë gjetur gurin e barazimit me anë të Gjergjit, një gol që është kundërshtuar për disa minuta nga skuadra verdhë e zi. Të lodhur kush më shumë e kush më pak më pas të dyja skuadrat e kanë çuar lojën drejt penalltive pasi edhe shtesat nuk sollën asnjë ndryshim. Nga pika e bardhë kavajasit kanë gabuar dy herë ndërsa të katërt futbollistët lezhjanë kanë qënë të saktë.

Ashtu si dy finalet e kategorisë së parë edhe sot gjithçka ka qënë e njëjtë ku ata që gjuajtën të parët kanë gabuar. Besëlidhja rikthehet pas shumë vitesh ndonëse loja e saj veç dëshirës dhe disiplinës taktike nuk dha gjë tjetër. Për Besën ka ende një mundësi për tu kthyer në kampionatin e më të mirëve. Të dielën në sfidën e fundit me Elbasanin përsëri në stadiumin ” Qemal Stafa”./tvklan.al