Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për të humburit

Banorët në rajonet e Gjermanisë dhe Belgjikës të prekur nga përmbytjet e fundit kanë filluar pastrimin e lagjeve të tyre, ndërsa ujërat kanë filluar të tërhiqen. Shkalla e dëmeve po bëhet e qartë, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë viktima. Rreth 183 njerëz kanë humbur jetën deri tani, shumë të tjerë ende mungojnë. Numri i viktimave mund të rritet më tej.

Edhe gjatë së shtunës nuk munguan përmbytjet në pjesë të ndryshme të Europës. Ekipet e emergjencës evakuuan qindra persona nga shtëpitë në rajonin austriak të Salzburgut, ku ujërat pushtuan rrugët e një qyteti.

Udhëheqësit evropianë fajësojnë ndryshimet klimatike për përmbytjet, të cilat kanë prekur gjithashtu Zvicrën, Luksemburgun dhe Holandën.

Të paktën 156 njerëz raportohen të vdekur në Gjermani, duke përfshirë katër zjarrfikës.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka vizituar zonat e përmbytura nga ku premtoi ndihma të shpejta. Merkel foli për një situatë jo reale, për një tmerr të paparë deri tani. Në vendin e quajtur Shuld në Eifel, ajo tha se “gjuha gjermane nuk njeh gati asnjë fjalë për të përshkruar atë që ka ndodhur”. 

Në Belgjikë ku numërohen 27 viktima, është dërguar ushtria në 4 nga 10 provincat e vendit për të ndihmuar në shpëtimin dhe evakuimet. Qeveria e shpalli 20 korrikun një ditë kombëtare zie. Ndërsa në Holandë, mijëra njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre në provincën Limburg ndërsa ujërat që ngriheshin përmbyten qytetet.

Tv Klan