Lajme Arkiva 2003

Është thjesht çështje ditësh nisja e punës si këshilltar i Ministrit të Rendit Luan Rama për personin me gradën më të lartë të policisë së shtetit Bilbil Mema. Kështu u shprehën burime të Ministrisë së Rendit të cilat shtuan se ish Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të zëvendësoj Fadil Canin i emëruar me një detyrë tjetër tashmë në këtë ministri.

Vetë Mema i kontaktuar me telefon nga TV Klan tha se nuk i është komunikuar zyrtarisht kjo detyrë dhe se për të ka mësuar nëpërmjet shtypit. Ndonëse publikisht nuk është bërë i njohur asnjë opinion i ministrit Rama për këtë emërim, mund të ketë qenë mjaft i debatueshëm.

Bilbil Mema u shkarkua nga kryeministri me propozim të Ministrit të Rendit Luan Rama gjatë fazës së parë të operacionit puna kundër trafikut të qenieve njerëzore i motivuar me mugesën e efikasitetit gjatë këtij operacioni.

Gjatë kësaj periudhe 1 vjeçare është paguar njësoj si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por pas kësaj periudhe kishte dy alternativa zhgradimi i zotit Mema nga presidenti i Republikës Alfred Moisiu ose emërimi i tij sërish në strukturat e ministrisë së rendit./tvklan.al