Evazioni fiskal, në shënjestër tregu i hidrokarbureve

Evazioni fiskal, në shënjestër tregu i hidrokarbureve

12:01 10/08/2019

Qeveria: Vijon të gëlojë paligjshmëria

 “Në tregun e karburanteve vazhdon të gëlojë paligjshmëria në aspektin fiskal. Po kjo paligjshmëri është bërë aq e gjerë deri në kufijtë e shkeljes së Kodit Penal”.

Abuzimet në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë kanë dalë në dritë nga aksioni kundër evazionit fiskal, që po vijon prej disa ditësh në mbarë vendin. Shkeljet, sipas numrit dy të qeverisë, janë bërë duke i kthyer kasat e pikave të karburantëve në regjim manual, për të shmangur në këtë mënyre taksat.

Erjon Braçe: Administrata tatimore ka zbuluar këto shkelje, veçanërisht përmes kalimit te regjimit të kasës me regjim manual të ndaluar me ligj. Nga këto kanë dalë diferenca mes litrave të shitura dhe atyre të deklaruara. Diferencat arrijnë në mijëra ton nga vjeshta e 2017 e deri me sot.

Nën kontroll janë të gjitha pikat e tregtimit të karburanteve me pakicë e me shumicë.

Si pjese e këtij aksioni, policia tha se ka shpallur në kërkim administratorin e kompanisë “GenKlaudis sha” të njohur me emrin “Gega Oil”, Paulin Gega, pasi akuzohet për fshehje të të ardhurave, pastrim të produkteve të veprës penale dhe ndryshimi i aparateve matës.

Policia thotë se ai është larguar jashtë vendit një ditë më parë dhe se kompanisë i është bllokuar aktiviteti. Por administratori i “Gega Oil” ka reaguar duke sqaruar se është larguar për pushime jashtë vendit, te prenotuara prej kohesh në një agjenci turistike në Tirane dhe jo për t’iu shmangur policisë. Ai ka hedhur poshtë akuzat për evazion fiskal apo për fshehje të të ardhurave, duke thënë se aktiviteti i kompanisë vijon normalisht. Në një pikë ku është pretenduar për probleme, në Durrës, sqaron ai, gjithçka është zgjidhur në pak orë.

Në reagim thuhet se kompania “Genklaudis sha” është një ndër 10 tatimpaguesit më të mëdhenj në Shqipëri, me mbi 83 stacione shitjeje në të gjithë vendin, dhe me mbi 500 punonjës, e gatshme për të venë në dispozicion çdo dokumentacion kundrejt çdo institucionin shtetëror dhe ligjor dhe të përgjigjet deri në shkallën më të lartë të drejtësisë.

Qeveria nga ana tjetër thotë se do t’i shkojë këtij aksioni deri në fund, duke u bërë apel bizneseve të paguajnë detyrimet, duke u kërkuar gjyqtarëve që të zbatojnë vetëm ligjin për këto raste dhe duke paralajmëruar disa pronare kompanish të ndëshkuara nga ky operacion që të mos kërcënojnë tatimoret.

Erjon Braçe: Kërcënime ndaj nëpunësit të shtetit do të ndëshkohen pa mëshirë. I kërkoj administratorëve të Tajvanit dhe Havanës se çdo kërcënim i paraqitur ndaj inspektorëve që do të përballen me ligjin. Çdo gërmë kërcënuese do trajtohet si krim”.

Aksioni kundër evazionit fiskal ka çuar në mbylljen e aktivitetit për kompani që operojnë në sektorë të ndryshëm. Por tregu i hidrokarbureve, siç paralajmëron numri dy i qeverise, do t’i nënshtrohet një kontrolli të imtësishëm, që nga litrat e deklaruara në dogana, ato të shitura apo tek përzierja e karburantit, që cenon drejtpërdrejt edhe ekonominë e përdoruesve të makinave.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT