Një belg u arrestua në Aeroportin Lima të Perusë me 20 zogj të gjallë të fshehur në valixhe. 54-vjeçari Hugo Conings u kap në tentativë për të trafikuar zogjtë jashtë shtetit, të futur në kuti të vogla kartoni.

Autoritetet thanë se ai ishte nisur drejt Madridit në Spanjë, për t’i shitur shpendët, që ishin të gjithë specie të mbrojtura.

Sipas asaj që shkruan BBC, fatmirësisht të gjithë zogjtë mbijetuan, megjithatë disa prej tyre shfaqën shenja dehidratimi e stresi, si dhe humbën një pjesë të puplave, për shkak të qëndrimit për disa orë në kuti.

Conings u arrestua të hënën dhe rrezikon deri në 5 vjet burg për trafik të jashtëligjshëm të kafshëve të egra.

Këta lloj zogjsh gjenden në Peru, Ekuador dhe Bolivi. Ato janë me pupla shumëngjyrëshe. Pikërisht këto të fundit bëjnë që këta lloj shpendësh të jenë në shënjestër të trafikantëve.

Në Peru jetojnë më shumë se 1 800 specie zogjsh. Por trafiku i jashtëligjshëm vijon t’i kërcënojë speciet vendase dhe konsiderohet si një prej shkaqeve kryesore të humbjes së biodiversitetit në këtë shtet./tvklan.al