Që nga fëmijëria, atje ku nis gjithçka, filloi rrëfimi i kompozitorit Robert Radoja, të ftuarit të sotëm të emisionit “Blue”. Ai ka lindur në Bolonja të Italisë për shkak se ati kishte jetuar dhe studiuar atje. Më pas familja e tij është zhvendosur në Shkodër, por nuk mban mend shumë nga ky qytet. “Fëmijërinë time e kam kaluar në një fshat afër Shkodrës. Babai me profesion agronom bleu një copëz tokë dhe i shërbeu asaj për shumë vite. Fëmijërinë e kam kaluar pranë familjes, pa shumë miq e shokë përreth, në fermën komode e tepër moderne përsa i përket kohës.”

Lidhja me muzikën e ka zanafillën që nga tezja ime. Ajo kishte bërë shkollë muzike. Por, nuk ka qenë vetëm kjo lidhja me muzikën sepse i apasionuar shumë ka qenë dhe babai i cili vazhdimisht nuk e ndante një sasi disqesh gramafoni dhe një gramafon mekanik që dëgjonte vazhdimisht operat italiane.” – shpreh ai. Më pas në vitin 1951, Radoja nisi studimet në Liceun Artistik të Tiranës dhe të lartat në Konservator ku u diplomua për piano.

Kompozimi i tij i parë ka qenë muzika e filmit “Guximtarët”, një film tepër i suksesshëm i kohës. Puna e tij do të vlerësohej me Çmimin e Mirënjohjes dhe emri i tij do të mbahej mend gjatë./tvklan.al