Kuvendi rrëzon Metën për prerjen e siguracionit në bazë të aksidenteve 

Aplikimi i sistemit bonus-malus i cili përcakton çmimin e siguracionit të automjetit në bazë të historikut të numrit të aksidenteve, me shumë gjasa do të lihet sërish në dorën e kompanive të sigurimit.

Kthimin e ligjit për rishqyrtim nga ana e Presidentit që sistemi të bëhet i detyrueshëm për tregun e sigurimeve të automjeteve, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave e ka rrëzuar, duke njoftuar se ky raport do t’i shkojë menjëherë seancës plenare në mbledhjen e radhës.

“Nuk është shkelur Kushtetuta në këtë dispozitë që ka kthyer Presidenti, është një çështje civile”.

Por për palën e Presidencës, kreu i shtetit ka zbatuar një të drejtë për t’i dhënë zgjidhje një problematike të konstatuar edhe gjatë mbledhjeve të komisioneve parlamentare.

“Nëse kjo do të qëndrojë siç është, atëherë ky sistem i ri nuk bëhet i zbatueshëm dhe ngelet në vullnetin e shoqërive të sigurimit duke aplikuar tarifa të njëta dhe të larta. Edhe pse Kuvendi ka dashur t’i japë zgjidhje kësaj çështje, kjo pikë e le të hapur”.

Fillimisht Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare propozoi në variantin fillestar të ligjit për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike që ky sistem të aplikohej nga të gjitha kompanitë, nen i cili më pas u ndryshua gjatë rrugës së propozimit në Kuvend nga Ministria e Financave. Efektet ligjore të tij do të nisin të zbatohen prej 1 Korrikut, ndërsa nuk dihet nëse kompanitë do të presin siguracionet në varësi të histrokut të aksidenteve të mjetit apo në varësi të kubikëve dhe vitit, siç aplikohet sot.

Tv Klan