Politikani karizmatik premton përmbylljen e Brexit

Boris Xhonson do të jetë Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe. 55-vjeçari, ish-Ministër i Jashtëm në kabinetin e Tereza Meit, triumfoi në balotazhin me shefin aktual të diplomacisë britanike, Xheremi Hantin.

Një garë pa garë ishte përballja për kreun e konservatorëve, e fituar bindshëm nga Xhonson, i cili mori mbi 92 mijë vota, dyfishin e rivalit të tij, që mori vetëm 46 mijë vota.

Në fjalën e parë si Kryeministër, Xhonson u tregua i qartë për sfidën kryesore që ka sot Britania e Madhe, Brexit.

“Sot në këtë moment thelbësor të historisë sonë duhet të rishohim mes dy instikteve tona, dëshirës së thellë për miqësi, mbështetje reciproke ndërmjet Britanisë dhe partnerëve tanë europianë dhe njëkohësisht dëshirës demokratike për vetëqeverisje. Mos harroni parrullën e fushatës sonë që është përmbyllni Brexitin, bashkoni vendin dhe mposhtni Xheremi Korbinin. Ne këtë do të bëjmë”, tha Kryeministri Xhonson.

Kryeministri i ri do të marrë detyrën të mërkurën, ndërsa brenda pak ditëve do të krijojë kabinetin e tij qeveritar. Ai ka premtuar se do ta nxjerrë me çdo kusht vendin nga Unioni, qoftë edhe pa asnjë marrëveshje me Brukselin.

Ish-krybashkiaku i Londrës nga viti 2008 në 2016-ën, Boris Xhonson ka ngritur rreth vetes figurën e politikanit jashtë rreshtit, një personazh jo si të tjerët, i cili me karizmën e tij ka bërë për vete qytetarët dhe shumicën e konservatorëve.

Ishte viti 2012 kur Xhonson mori famë botërore, teksa mirëpriste Lojërat Olimpike si kryebashkiak i Londrës ai mbeti i mbërthyer për disa minuta në kavo, duke ngjallur humor mes të pranishmëve.

Tv Klan