“Dialogu Kosovë-Serbi, i vështirë për shkak të historisë”

Kryediplomati europian Josep Borrej pranon se propozimi për shkëmbim territoresh ka qenë real dhe ka qarkulluar në tryezat diplomatike. Në një intervistë për shtypin serb, ai shprehet megjithatë se ky opsion i përket të kaluarës, teksa sqaron edhe kufijtë e vendosur nga BE si ndërmjetëse për vazhdimin e dialogut.

“Zgjidhja gjendet vetëm mes palëve. Ne nuk diktojmë asgjë. Në parim, ne duam të jemi vetëm ndërmjetës. Ka shumë vende të BE-së që kundërshtojnë fuqishëm idenë e shkëmbimit të territoreve. Pak muaj më parë ka pasur një propozim të tillë, por ky nuk është më një opsion”.

Borrej shprehet se aktualisht dialogu është tepër i vështirë pasi është i ngarkuar me histori. Megjithatë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme shprehet optimist për ecurinë aktuale të tij.

Nga administrata e re e Bajdenit pret thellimin e bashkëpunimit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, teksa sqaron se Shtetet e Bashkuara nuk janë konkurrent për Bashkimin Europian në Ballkan, por partnerë të rëndësishëm me ndihmën e tyre për zgjidhjen e problemeve të mbetura nga e kaluara.

Tv Klan