Bota “e mbërthyer” nga koronavirusi


Bota “e mbërthyer” nga koronavirusi

14:15 07/08/2020

Numri i të infektuarve në mbarë botën me Covid-19 është rritur me 600 mijë njerëz në vetëm 48 orët e fundit. Sipas mediave botërore të prekur rezultojnë 19.2 milionë, të shëruar janë 11.4 milionë, ndërsa viktimat nga ky virus kanë arritur në 714 mijë persona. Ritmin më të shpejtë të përhapjes së virusit gjatë 20 ditëve të  fundit e ka India. E cila me 62 mijë rastet e reja ka arritur në mbi 2 milionë të infektuar. 

Shqetësuese është se ekspertët thonë se epidemia në Indi ka të ngjarë të jetë muaj larg pikut të saj, duke i dhënë më shumë tendosje një sistemi të mbingarkuar tashmë të kujdesit shëndetësor. Autoritetet shëndetësore duhet të merren me shpërthime të shumta të sëmundjeve infektive, në një komb prej 1.3 miliardë banoresh. Megjithatë, qeveria ka një ngushëllim nga niveli relativisht i ulët i vdekjeve, në rreth 2%, me 41.585 vdekje deri më tani.

Edhe në Brazil vijon shpërthimi i koronavirusit, sidomos në komunitetet indigjene. Vendi ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve dhe infeksioneve në të gjithë botën, me afro 96,000 vdekje dhe 2.8 milion të prekur. Në krye të listës janë shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Situata aty është më problematike edhe me hapjen e shkollave, pasi ka pasur shpërthime të infeksionit në disa qytete të mëdha. Sipas një studimi të Universitetit të Uashingtonit situata paraqitet edhe më e zymtë, pasi deri më 1 Dhjetor ata kanë parashikuar se numri i viktimave të shkojë në 300.000. Ekspertët shëndetësorë të këtij universiteti u shprehen se 70,000 jetë mund të shpëtohen nëse njerëzit do të respektonin në mënyrë rigoroze veshjen e maskave.

Deri më tani numri i vdekjeve të SHBA –së nga COVID-19 është më shumë se 159 mijë, numri më i lartë në botë dhe me gati 4.9 milion raste të konfirmuara pozitive.

Klan Plus




Të ngjashme