Brazili ka nxjerrë trupat ushtarake për të përballuar rritjen e frikshme të ngjarjeve kriminale. Rreth 300 trupa janë dërguar në qytetin Fortaleza për t’u përballur me rritjen e dhunës kriminale që ka shpërthyer në vend. Ushtarët do të patrullojnë në rrugë për të parandaluar sulmet ndaj dyqaneve, bizneseve, bankave dhe autobusëve.

Sulmet që kanë shperthyer këtë javë janë shenjë proteste kundër masave të reja më të ashpra për burgjet lokale, shumica e të cilave janë nën kontrollin e bandave kriminale. Autoritetet e burgjeve kanë bllokuar sinjalet telefonike brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit, si një nga masat e reja që ka hyrë në fuqi me urdhër të Presidentit Jair Bolsonaro.

Ky i fundit ka vetëm disa javë që ka marrë detyrën dhe është zotuar për të luftuar kriminalitetin në vend. Vendimi për të nxjerrë ushtrinë në rrugë që u dha nga ministri i Drejtësisë Sergio Moro, u vlerësua edhe nga Presidenti Bolsonaro, që e konsideroi si një masë të shpejtë dhe efektive. Më herët, ministri Moro kishte kryesuar një hetim të madh mbi korrupsionin në Brazil, që ka të bëjë me pastrimin e parave të pista.

Deri më tani janë arrestuar 50 të dyshuar për dhunën e shkaktuar në rrugë. Në Brazil ka më shumë se 700 mijë persona të burgosur, numri i tretë më i lartë në botë në bazë të popullsisë, pas SHBA-së dhe Kinës.

/tvklan.al