Briken Çalja u shpall kampion i Europës në kampionatin që po zhvillohet në Rumani. Peshëngritësi shqiptar dominoi në garën e peshës deri 69 kg duke e mbyllur i pari si në stilin e shkëputjes dhe atë të shtytjes.

321 kg të ngritura në dygarësh duke kaluar me sukses 5 nga 6 provat. Ndjekësi më i afërt i Briken Çaljes ngriti 10 kg më pak në dygarësh. Këto medalje të arta ishin kërkuar me ngulm nga 28-vjeçari dhe arritur pas disa përfaqësimeve.

“Jam shumë i lumtur dhe ky sukses është për familjen time, miqtë e mi dhe natyrisht të gjithë shqiptarët.”

Në peshën deri 69 kg garoi edhe Arbër Çerçizi, i cili u rendit i teti. Këtij europiani do t’i mungojë Erkand Qerimaj. Ai është tërhequr për shkak të një problemi fizik. Një inflamacion në tendinën e gjurit nuk e lejon 29-vjeçarin të marrë pjesë në garën e peshës deri 77 kg ku do të rivalizonte me Daniel Godellin. Qerimaj, një nga pretendentët për medalje, duhet të pushojë 2 javë. Kjo mungesë i shtohet atyre të Romela Begajt dhe Evangjeli Velit, të cilat janë pezulluar për doping.

Tv Klan