Barjam Tusha do të qëndrojë në burg. Ka qenë ky vendimi i dhënë këtë të premte nga Gjykata e Sarandës për 72-vjeçarin.

Tusha akuzohet se ka abuzuar seksualisht në kohë të ndryshme një 17-vjeçare. Tvklan.al mëson se i moshuari nuk e ka pranuar akuzën.

Avokati mbrojtës kërkoi nga gjykata nisjen e procedimit penal ndaj të dashurit të 17-vjeçares, me iniciale G.R, me arsyetimin se ka qenë ai që e ka shtyrë vajzën të bëjë kallëzim të rremë. Kjo për shkak se, sipas palës mbrojtëse, familja e të miturës kishte kundërshtuar lidhjen me vajzën e tyre dhe ai ia kishte mbajtur vajzën për dy javë në shtëpi.

Pala mbrojtëse kërkoi masë më të butë për të moshuarin me arsyetimin se ai nuk përbën rrezik për t’u larguar. Por gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorëve të çështjes, që kishin kërkuar arrest me burg për 72-vjeçarin.

Bajram Tusha u arrestua nga policia të martën. Bazuar në dëshminë e të miturës para policisë, abuzimi dyshohet të ketë nisur 3-4 vite më parë, kur ajo ishte 13 vjeç. E mitura ka treguar se bashkë me familjen ka jetuar për disa vite në shtëpinë e Tushës me qira, derisa ndërtuan shtëpinë e tyre, po në të njëjtën lagje. Kjo bëri që familja e saj të kishte marrëdhënie të mira me 72-vjeçarin.

Duke qenë se ai jetonte vetëm, sepse ishte i ve prej vitesh dhe fëmijët i kishte në emigracion, familja e çonte 17-vjeçaren që të shkonte në shtëpinë e Barjam Tushës, t’i gatuante dhe t’i pastronte herë pas here.

Në këto raste ai ka abuzuar me të miturën, ndërsa kjo e fundit nuk tregonte sepse i vinte turp. Kohët e fundit 17-vjeçarja ka nisur një histori dashurie me një moshatar të saj, të cilit ia tregoi se here pas here, Barjam Tusha kishte abuzuar seksualisht me të. Djali e bindi që ta denonconte në polici ngjarjen.

Akuza e Prokurorisë është bërë mbi bazën e denoncimit të vajzës dhe deklarimit që ka bërë i dashuri i saj në polici. Avokati i Tushës pritet që ta apelojë vendimin e dhënë këtë të premte. /tvklan.al