“Dua t’i bëj një premtim që ta mbaj derisa të kem frymën e fundit”

Tërmeti i 26 Nëntorit shkaktoi një tragjedi të madhe në vendin tonë, por shërbeu dhe si një reflektim për të kuptuar se familja është shumë e shtrenjtë dhe çdo ditë duhet të tregojmë dashuri jo vetëm me fjalë, por me vepra dhe në të vërtetë.

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan, Spartaku ka treguar se për 23 vite, ai nuk i ka dhuruar gruas dhe fëmijëve të tij asnjë ditë lumturie. Varësia e tij ndaj alkoolit ka shkaktuar dhimbje dhe shumë debate në familje. Nuk ka qenë asnjëherë përkrahje për ta dhe në kushte të tilla djali i tij, vetëm 19 vjeç u bë shtylla e familjes.

Ai ka një mesazh për gruan dhe djalin e tij, por gjithashtu bën edhe një premtin që zotohet ta zbatojë deri në frymën e fundit.  

Spartaku: Më datë 26 Nëntor kam qenë vetë në terren, në familjen Lala, mora pjesë aty. Pastaj ktheva kokën pas dhe thashë pse mos i vë vetes një detyrë, një premtim.

Ardit Gjebrea: Pra ishte tërmeti momenti? Pas 23 vitesh duhet të ndodhte tërmeti i 26 Nëntorit, që të reflektoje për atë pasuri që ti ke, teksa ishe në terren dhe shikoje familjet që kishin pësuar fatkeqësi?

Spartaku: Po! Familje të humbura, fëmijë, prindër. Unë i kisha dhe nuk jam i zoti për t’i mbajtur. Gjëja më e shtrenjtë sot është familja. Jam bërë pishman për shumë gjëra dhe sot kam ardhur këtu për t’i dhënë një betim bashkëshortes time, familjes sime, të dy djemve, Seldit dhe Kristianit. Para pak ditësh, u ktheva nga shërbimi me kolegët. Nuk merrja guximin t’i dilja përpara se më vinte era raki, alkool. Të nesërmen u qetësova dhe më thotë prapë? Aman o burrë i dheut, 100 herë, tha? Prandaj dua t’i bëj një premtim që ta mbaj derisa të kem frymën e fundit.

Bashkëshortja e tij vjen në studio, ndërsa djali i tij për shkak të punës nuk mund të ishte i pranishëm.

Selvia: Nuk e prisja, por meqë m’u largua kështu e ndjeva.

Spartaku: Kemi 23 vite bashkë martesë, për kaq vite të kam munduar shumë, ke bërë gjithçka për familjen time, më ke dhënë kurajo, më ke mbështetur. Unë sot jam këtu për të dhënë një mesazh, o sot, o kurrë. As alkoolin në gojë, as llaf, as debate në familje, përkundrazi do të jem më pranë teje.

Selvia: Pavarësisht çfarë përjeton njeriu, tani fëmijët rriten, t’ju japim më shumë forcë. Unë them ky të jetë më i qetë për veten. I madhi është aq i ndërgjegjshëm dhe aq i kuptueshëm, sa unë them, ai është rritur, dhe unë komunikoj aq shumë me të, çdo gjë i hapem, për çdo hall ose problem. Ti lemë problemet e tjera dhe të ecim përpara. /tvklan.al