Më 27 prill, gazetarja Iva Tiço u kurorëzua në martesë me partnerin e saj, Soren. Dita e tyre e lumtur pati një ceremoni në kishë si edhe një festë shumë intime, por nga imazhet e shpërndara fillimisht në rrjetet sociale mund të dallohej minimalizmi dhe thjeshtësia që e karakterizuan.

Për “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan, Iva tregon se ka një domethënie pas shumë zgjedhjeve. Së pari, fustani të cilin nuk e dëshironte aspak në stil princeshe, por kishte gjithnjë para syve fustanin e gjyshes.

Iva Tiço: Gjithmonë kam dashur që të kem një fustan që të ishte si fustani i gjyshes time. Kjo fotografi ka qenë në dhomë, në një kornizë dhe gjyshja ime e ka humbur këtë fustan gjatë luftës.  Për një rastësi, ajo thoshte që ia kanë marrë gjermanët, unë po martohem me një gjerman tani. Sa herë që unë kisha menduar që do bëjmë dasmë, nuk mendoja që mund të vishja një fustan të atillë, do vishja diçka shumë më të thjeshtë për një dasmë civile në bashki dhe për një festë. Kur i thashë Mandit ne kemi vendosur të martohemi në kishë, Mandi tha “tani nuk kemi zgjidhje tjetër, tani do të bëjmë fustanin e Uranisë”.

Emocionet nuk kanë munguar përgjatë periudhës së organizimit të dasmës dhe Iva thotë se ka ndier shpesh nervozizëm apo padurim.

Iva Tiço: Ndonjëherë më duket sikur s’jam unë, është ndezur një motor dhe bëj veprime si somnabul. Marçela thotë me gallatë herë pas here, ajo ka përvojë dhe thotë që nuses mos i fol duke filluar 40 ditë përpara se nuk mban përgjegjësi çfarë thotë dhe unë deri vonë thoja që unë jam shumë e qetë dhe nuk kam moshë për t’u emocionuar apo për të mos i pasur gjërat nën kontroll, por kam filluar dhe unë, e shoh që bëj, edhe tani që po provonim fustanet, kisha momente nervozimi ose mungesë durimi.

Por pse u zgjodh data 27 për kurorëzimin?

Iva Tiço: Data 27 sepse ne donim një datë në prill, unë po mendoja në fillim datën 20 prill sepse  hapa kalendarin dhe ishte 20.04.2024 dhe i fejuari im e rrëzoi këtë datë sepse ka ditëlindjen ai dhe nuk donte që të ishte, kështu që e spostuam me një javë./tvklan.al