Kryetari i komisionit për dekriminalizimin, Oerd Bylykbashi, thotë se vetëpërjashtimi i Armando Prengës nga parlamenti është nul. Ai shpjegon edhe arsyen përse opozita paraqiti një amendament për ligjin për dekriminalizimin.

Oerd Bylykbashi,deputet i PD-së:

Deputetë dhe funksionarë të tillë të këtij niveli të mos jenë në parlament, të mos ushtrojnë funksion publik kur janë të arrestuar në flagrancë. Me ligj ne kërkojmë që kjo kategori të përjashtohet menjëherë nga parlamenti. Të pezullohet derisa të marrë vendim gjykata. Vetëpezullimi nuk ekziston as si kriter ligjor dhe aq më pak, kriter kushtetues, për rrjedhojë vlera është nul.

Por për maxhorancën është e papranueshme që vetëm dy muaj pasi ligji për dekriminalizimin u miratua me konsensus t’i bëhen amendime. Nënkryetari i komisionit për dekriminalizimin, Taulant Balla thotë se opozita po kërkon pretekst për të mos votuar reformën në drejtësi.

Taulant Balla,deputet i PS-së:

Fakti që po afron reforma në drejtësi u duhet që të krijojnë një alibi për të bllokuar punimet  e kuvendit dhe kthehen tek kënga e vjetër e bllokimit të punimeve të kuvendit në emër të një kauze që nuk e kanë. Nuk janë ligjet si ndërtimet pa leje në Kamëz, ku vjen njëri hedh një kat, vjen dhe një  tjetër hedh dhe një kat tjetër, vjen dhe komshiu hedh dhe një kat tjetër

.

Sipas maxhorancës me të njëjtin konsensus duhet të kalojnë dhe aktet nënligjore të ligjit për dekriminalizimin, por opozita është e vendosur për të mbrojtur amendamentin e saj.

Tv Klan