Edhe SHBA u rikthehen vdekjeve masive

Rusia ka aktualisht numrin më të lartë të infektimeve ditore dhe po thyen çdo ditë rekordet e saj. Mbi 11 mijë të infektuar të rinj u shënuan gjatë 24 orëve të fundit në këtë vend, një shifër ditore që nuk është arritur nga asnjë vend tjetër deri më tani.

Prej rreth një jave infektimet ditore kanë qenë në rreth 10 mijë, çka e rendit këtë vend, të pestin në botë për nga të prekurit. Megjithatë, numri i viktimave është ndër më të ulëtit në botë, 0.9%.

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara janë rikthyer shifrat e larta të vdekjeve ditore, që në 24 orët e fundit kanë shkuar në mbi 2 mijë, duke arritur nivelet e mesit të muajit Prill kur u shënua kulmi i pandemisë. Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht numrin më të lartë rreth 1/3-ën e të prekurve dhe viktimave në gjithë botën.

Megjithatë, këto shifra nuk e kanë ndalur presidentin amerikan të çojë përpara planet e tij për rihapjen e plotë të ekonomisë amerikane. Ai akuzoi sërish Kinën si përhapëse të Covid-19, duke e krahasuar këtë krizë me sulmin ndaj Pearl Harbourit që i përfshinë Shtetet e Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore.

Vatër e re e Covid-19 është edhe Brazili që në 24 orët e fundit shënoi 615 të vdekur, një shifër rekord, për këtë vend. Brazili numëron mbi 8,500 viktima e afro 127 mijë të prekur.

Vijojnë të jenë të ulëta shifrat ditore të koronavirusit në Spanjë, ku në 24 orët e fundit numërohen 213 të vdekur dhe mbi 1 mijë të infektuar të rinj.

E teksa, infektimet ditore kanë rënë në mbi 100 në Gjermani, ekspertët paralajmërojnë se vendit i kanoset një valë e dytë infektimesh nëse nuk bëhet kujdes me lehtësimin e masave bllokuese.

Në gjithë globin numërohen 3.8 milionë të prekur, prej të cilëve afro 270 mijë viktima e mbi 1.3 milionë të shëruar.

Tv Klan