KQZ i ka kapacitetet për dekriminalizimin

Mosdakordësia politike mes PD dhe PS po bëhet pengesë për votimin dhe numërimin elektronik, si projekt-pilot për zgjedhjet e 25 Prillit.

Sipas marrëveshjes së 5 Qershorit pilotimi duhet të kryhet në jo më pak se në 10 përqind të qendrave të votimit.

Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi, thotë se sidoqoftë, projekti do të zbatohet në një pjesë.

Kontrata me kompaninë fituese për identifikimin biometrik do të finalizohet javën e ardhshme.

Për dekriminalizimin, një çështje që ka trazuar jo pak politikën, Celibashi siguron se KQZ i ka kapacitetet që t’i kalojë të gjithë kandidatët e listave të 25 Prillit në sitën e kontrollit.

Sa i takon votës së emigrantëve drafti për procesin e regjistrimit ende është në duart e partive për t’u konsultuar, por pavarësisht kohës së shkurtër Celibashi mendon se ajo mund të jetë realitet në 25 Prill, pa zbuluar sesi do të votojnë shqiptarët e diasporës. Ai bën thirrje si për emigrantët ashtu dhe shqiptarët që u kanë skaduar mjetet e identifikimit, të nxitojnë për t’i rinovuar.

Tv Klan