SHBA-ja shkon deri tek skenarët më negativë

Donald Trump ka rezultuar pozitiv me koronavirus disa javë përpara zgjedhjeve presidenciale. Kjo shtron disa pyetje mes njerëzve se çfarë do të ndodhë më vonë. Trump-it do t’i kërkohet që të vetëizolohet për 10 ditë. Kjo do të thotë që ai mund të jetë i gatshëm për debatin e ardhshëm presidencial më 15 Tetor. Megjithatë për shkak të infektimit, Trump është detyruar që të mos marrë pjesë në disa aktivitete të tjera.

Periudha e vetëizolimit patjetër që do të ketë një ndikim në fushatën e tij. Kjo shtron pyetjen nëse zgjedhjet mund të shtyhen dhe si mund të ndodhë kjo. Sipas ligjit, zgjedhjet në Amerikë mbahen të martën pas të hënës së parë të Nëntorit, çdo katër vjet, kështu që këtë vit i bie 3 Nëntori. Ndryshimi i datës mund të diskutohet mes ligjvënësve dhe jo presidentit.

Kërkohet një shumicë në dy dhomat e Kongresit për të votuar për çdo ndryshim date. Kjo ka pak gjasa të ndodhë duke pasur parasysh faktin që Dhoma e Përfaqësuesve kontrollohet nga demokratët. Edhe nëse ndodh ndonjë shtyrje, mandati i Presidentit Trump do të skadonte me 20 Janar të vitit të ardhshëm.

Por mediat e kalojnë çështjen edhe se si sëmundja mund të ndikojë tek Trump. Çfarë ndodh nëse ai bëhet i paaftë për të drejtuar?

Për momentin presidenti amerikan raportohet të ketë simptoma të lehta, por nëse Trump sëmuret rëndë saqë nuk mund të përballet me detyrën, Kushtetuta i jep të drejtën që ta dorëzojë pushtetin tek Zëvendëspresidenti Mike Pence. Sapo të kthehet në formë, Trump mund të rimarrë pozicionin e tij.

Nëse Presidenti nuk është në gjendje që të dorëzojë pushtetin, kabineti i tij dhe zëvendëspresidenti deklarojnë paaftësinë e tij për të vazhduar punën dhe automatikisht Pence merr rolin e kreut të shtetit. Nëse Pence gjithashtu sëmuret, do të jetë kryetari i Dhomës së të Përfaqësuarve, Nancy Pelosi në këtë rast, që do të marrë rolin. Megjithatë, ekspertët thonë se një kalim i tillë pushteti do të kishte një betejë ligjore.

Amerikanët kanë menduar edhe rastin më të keq, kur rolin e Presidentit e merr kryetari i Dhomës së të Përfaqësuarve dhe ky i fundit sëmuret gjithashtu rëndë. Këtë herë i takon kreut të Senatit që të marrë detyrën. Në rastin konkret është Charles Grassley, por edhe ky transferim pushteti do të kishte sfidat e veta ligjore.

Në fakt më parë ka ndodhur që një President të shpallë paaftësinë për të vijuar detyrën. Në 1985, Presidenti Ronald Reagan u operua për kancer dhe u zëvendësua nga zv/Presidenti George HW Bush. Në 2002-shin deri në 2007-n, George W Bush bëri të njëjtin gjë me zv/Presidentin për shkak të një sëmundje.

Nëse Trump nuk do të ishte në gjendje të merrte pjesë në zgjedhje, paraprakisht mendohet se Pence do ta zëvendësojë. Sipas rregullave të partisë, 168 anëtarët e Komitetit Kombëtar Republikan duhet që të zgjedhin një tjetër kandidat. Në këtë rast, Pence është më i favorizuari.

Nëse Pence zgjidhet si kandidat, atëherë ai duhet që të zgjedhë një person tjetër që do të mbajë rolin e zv/Presidentit. Nuk ka ndodhur asnjëherë që demokratët apo republikanët të ndryshojnë kandidatët për President pasi i kanë zgjedhur zyrtarisht ata. /tvklan.al