E lumtur që në këtë sezon televiziv do të jem testimonial i një prej markave më të mira të modës së lartë italiane”,– shkroi Alketa Vejsiu në Instagram duke zbuluar që këtë herë, në sezonin e ri televiziv që nisi sonte në Tv Klan, rrugëtimin artistik do ta shoqërojë me një prej emrave më në zë të modës së lartë italiane.

Brandi i famshëm “Ermanno Scervino”, me bazë në Firence, është i njohur për elegancën femërore dhe për veshjet e detajuara. Me një cilësi të jashtëzakonshme, stil unik dhe dizajn të pakrahasueshëm me asnjë linjë tjetër në botë, “Ermanno Scervino” për 4 muaj me radhë do të ‘flasë’ shqip nga “Love Story”.

Po pse Alketa bëri këtë zgjedhje?

Ka disa arsye për këtë. E para, “Love Story” është një program që vjen si risi për televizionin Klan dhe për ekranin shqiptar. Natyrisht, edhe veshjet e producentes dhe moderatores vijnë ekskluzivisht për një reality show ndryshe nga të tjerët.

Së dyti, ju të gjithë e dini mirë që Alketa e ka pikë të dobët Italinë, bashkëpunon shpesh me emra të njohur në botën e televizionit dhe jashtë saj, po gjithashtu ka edhe shumë projekte të tjera që do të vijnë në të ardhmen.

Së treti, kush më shumë se “Ermanno Scervino” i shkon për shtat një programi të tillë që në qendër ka elegancën, feminilitetin dhe, mbi të gjitha, dashurinë.

“Ermanno Scervino” është një prej markave që ka veshur dhjetëra-qindra personazhe të njohur të botës së televizionit, por edhe më gjerë. Kate Hudson, Pippa Middleton, Sandra Bullock, Alice Eve, Alice Dellal, Misha Burton, Kanye West janë vetëm disa nga emrat që kanë zgjedhur brandin e famshëm italian për eventet e tyre më të rëndësishme. Me dhjetëra të tjerë i kanë besuar kësaj linje festat e tyre më të bukura.

Ekskluzivisht për Class, Alketa tha se kjo zgjedhje nuk është rastësi. Krahas arsyeve që u renditën më lart, “Ermanno Scervino” përfaqëson elegancën dhe modën e lartë italiane në nivele të tjera. Kjo zgjedhje, shton Vejsiu, ecën paralel edhe me projektet e saj me Italinë dhe shumë emra të njohur të botës së spektaklit atje.

Gjatë këtij viti të vështirë për të gjithë botën, “Ermanno Scervino” iu bashkua edhe nismës së nisur prej shumë markave të njohura në Itali si Gucci, Salvatore Ferragamo, Fendi, Celine, Serapian me Richemont, Prada etj. për të prodhuar maska dhe materiale të tjera në ndihmë të luftës kundër Covid-19. Madje, rrobaqepëset e markës dolën vullnetare për këtë fushatë, në mënyrë që të siguronin sa më parë të ishte e mundur maska dhe veshje mbrojtëse për stafin mjekësor që lufton me koronavirusin.