“Check In” në Astana, kryeqyteti më i ri në botë

“Check In” në Astana, kryeqyteti më i ri në botë

16:48 14/12/2019

I ndërtuar thuajse në 1/3 e tij prej shqiptarëve

Astana është një nga kryeqytetet më të reja në botë. Një kryeqytet me tre emra dhe një arkitekturë magjike, ku kanë lënë firmën arkitektët më të mëdhenj të globit. Ndërtuar në zemër të stepave nomade, me godinat mahnitëse dhe planifikimin urban, më të mirë në botë, një qytet krejtësisht i ri, i nisur nga zero. Por jo vetëm kaq, është një qytet i ndërtuar thuajse në 1/3 e tij prej shqiptarëve.

Për shqiptarët, Kazakistani, është një tokë e panjohur. Për ata që njohin historinë, ai është vendi i Kozakëve, luftëtarë të famshëm që nga koha e perandorisë cariste. Një popull nomad, përzierje e turqve dhe mongolëve. Me jetesën fisnore në tenda, pasionin për kuajt dhe natyrën. Por sot, ai është një nga vendet me zhvillimin më të shpejtë në botë dhe një mirëqenie për t’u admiruar.

Vendi i nëntë më i madh i botës, me 2.7 milion kilometra katrorë dhe afro 19 milion banorë. Një vend që zhvillimin dhe mirëqenien e tij, ja dedikon, naftës, gazit, por edhe mineraleve. Sepse siç thonë, nëntoka e këtij vendi përmban thuajse krejt tabelën e Mendelejevit.

Historia e Kazakistanit është e ngjashme me atë të vendeve fqinjë. Për shumë vite me radhë ishte pjesë e perandorisë mongole dhe khanateve që rrodhën prej saj. Derisa në dyert e qytetit u shfaqën Rusët. Në mes të shekullit të XIX u bë pjesë e Perandorisë Cariste, ndërsa në 1917, Republikë e Bashkimit Sovjetik.

Kur ky i fundit u dizintegrua, Kazakistani u bë vendi i fundit që shpalli pavarësinë. Më 1991, në krye të saj, u gjend një drejtues komunist i kohës, 51 vjeçar, me bindje të theksuara nacionaliste. Nursulltan Nazarbajev. Ai u bë deklarues i pavarësisë së Kazakistanit dhe drejtues i saj si President nga Prilli 1990 deri më 23 Mars 2019, kur dha dorëheqjen. Por mbetet ende Lideri suprem i vendit. Ai jeton akoma në qytetin që prej marsit, mban emrin e tij, Nursulltan. Me një vendim unanim të Parlamentit kazak.

Nuk është hera e parë që qyteti ndërron emrin. Vështirë që një qytet tjetër në botë ta ketë pasur kaq shumë emra në kaq pak kohë. Në shekullin e XIX quhej Akmola. Ishte thjeshtë një fortesë e vogël në kufijtë e perandorisë. E mbronte atë nga dyndjet e popujve të tjerë nomadë.

Kur sovjetët erdhën në pushtet, e pagëzuan Celinograd. Me këtë emër qëndroi deri më 1990, kur me shpalljen e pavarësisë, i rikthyen emrin e hershëm, Akmola. Por emri i rikthyer nuk i qëndroi kohës më shumë se 7 vjet. Më 1998, kur u vendos që të ishte kryeqyteti i ri i Kazakistanit, u pagëzua ASTANA, zemra e Kazakëve. Por edhe emri i ri qëndroi vetëm 21 vjet. Këtë vit, e pagëzuan me emrin e njeriut që vendosi ta ringrejë dhe ndërtojë si qytet modern, Nursulltan Nazarbajevit, NURSULLTAN.

Fati i Astanasë, ose Akmolës siç quhej, duket se ndriti 3 vjet pas pavarësisë së Kazakistanit. Në atë kohë, Presidenti Nazarbajev, kishte plane ambicioze për të ndërtuar një kryeqytet imponues. Ai mbështetej nga të ardhurat e mëdha që vinin nga nafta dhe gazi. Dhe kishte një model atë të Berlinit. Por Almaty, kreqyteti tradicional i vendit, e kishte thuajse të pamundur këtë.

I vendosur në jug, ai ishte fare pranë kufirit dhe një territori përjetësisht problematik. Qe vendosur larg nga pikat e tjera të shtetit. Por mbi të gjitha, ishte një qytet i super ngarkuar dhe me urbanistike thuajse mesjetare. Të pamundur për ta modernizuar.

I ndodhur përballë kësaj situate, Nazarbajevi vendosi të ndërtojë një kryeqytet krejt të ri. Duke ndjekur shembullin e Brazilias në Brazil dhe të Canberras në Australi. Por siç tregoi më vonë ai, nuk donte një qytet thjeshtë administrativ, si këta të dy, por një qytet të jetueshëm.

Një qytet të vërtetë. Parlamenti e aprovoi në parim planin e tij më 1994. Vetë Nazarbajevi ndërmori një tur, duke vendosur gishtin në një qytet fare të vogël, në mes të Kazakistanit, në një fushë thuajse moçalore, të quajtur Akmola, në krah të lumit Ishim.

Gjeografikisht, ishte pika më qendrore e republikës së tij. Aty, në atë tokë djerrë, u projektua Astanaja e ardhshme. Kryeqytet me status special, me afro 1 milion banorë. Një nga qendrat urbane më të rëndësishme të globit për planifikimin, arkitekturën dhe cilësinë e ndërtimeve të tij. /tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi