Një drejtues mjeti është ndaluar nga Policia Rrugore e Tiranës, pasi udhëtonte kundravajtje me makinë në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan, në sens të kundërt drejtimi nga tuneli i Krrabës drejt TEG-ut.

Patrulla e policisë bëri të mundur ndalimin e mjetit dhe vendosjen e masës administrative ndaj shoferit për kundravajtje.

Ndërkohë, prej mëngjesit të sotëm e deri në këto momente janë ndëshkuar në të gjithë vendin 87 drejtues mjetesh që nuk kishin vendosur zinxhirë për të qarkulluar, dhe që për pasojë kanë sjellë vonesa në qarkullimin normal të mjeteve të tjera.

Njëkohësisht, në të gjithë vendin janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative edhe 49 drejtues mjetesh që nuk kishin vendosur gomat dimërore.

Po gjatë monitorimit të qarkullimit janë evidentuar dhe ndëshkuar 156 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara, 121 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 89 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe 56 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse. /tvklan.al