Kristiano Ronaldo vazhdon që të mbajë vendin e parë në garën e golashënuesve më të mirë të Euro 2020. Ylli portugez ka realizuar 5 gola në 4 takime të luajtura. Por një numër të tillë golash ka shënuar edhe sulmuesi i Republikës Çeke, Patrik Shik.

Nëse renditja e golashënuesve nuk ndryshon, kjo hap debatin se a duhet që trofeu i “Këpucës së Artë” të ndahet mes dy lojtarëve.

Por kapiteni i luzitanëve duhet që të qëndrojë i qetë. UEFA sqaron se nëse situata nuk ndryshon, ai shpallet golashënuesi më i mirë, sepse përveç golave, llogariten edhe asistet dhe minutat e luajtura.

Ndryshe nga Shik që nuk ka dhënë asnjë, Kristiano Ronaldo ka dhënë 1 asist, gjatë fitores 4-2 të Portugalisë ndaj Gjermanisë. Për më tepër që ai i ka gjetur golat në më pak minuta, krahasuar me lojtarin çek.

Gjasat më të mëdha për të marrë vendin e parë në renditjen e golashënuesve të Euro 2020, i kanë anglezët Rahem Sterling dhe Herri Kejn, me nga 3 gola të shënuar, si edhe danezi Kasper Dolberg, po me 3 gola.

Ata kanë edhe të paktën një ndeshje për të tentuar që t’i rrëmbejnë “Këpucën e Artë” kapitenit të Portugalisë.

Klan News