Rama përjashton 2 Majin, opozita kërkon ditën më të afërt

Edhe pse formalisht, pasi ai gëzon të drejtën kushtetuese për të vendosur, Presidenti ka pytur të gjithë krerët e partive parlamentare dhe jo parlamentare përpara se të dekretojë datën e zgjedhjeve parlamentare të 2021.

Kryeministri i shoqëruar nga Taulant Balla duke respektuar masat anti-covid me maska madje dhe duke shmangur grusht-takimin, përshëndetja e diktuar nga pandemia, mësohet se nuk ka shprehur asnjë preferencë për një datë të caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve, duke përjashtuar 2 Majin që është e diela e Pashkëve Ortodokse.

Nuk dihet nëse Kryeministri ka zgjedhur të konsumojë diçka për të pirë nga ato që ofroi Presidenti në takimin që zgjati vetëm pak minuta.

Lulzim Basha që mbërriti në zyrën e kreut të shtetit në mesditë, nuk artikuloi asnjë datë, por për të dhe aleatët e tij që u pritën një nga një nga Ilir Meta, është që kjo qeveri të largohet një orë e më parë.

“Qytetarët duan zgjedhje sot jo nesër. Ata duan zgjedhje sepse janë të lodhur nga propaganda, nga dështimet dhe mashtrimet. Qytetarët kanë nevoje urgjente për punë. Biznesi ka nevojë urgjente për mbështetje. Mjekët, infermierët kanë nevojë për rritje pagash, për kushte dinjitoze për t’u përballur me kolapsin e sistemit shëndetësor, i cili është bërë edhe më i dukshëm prej pandemisë. Fermerët kanë nevojër për subvencione, kanë nevojë për treg shitje. Të rinjtë kanë nevojë për mundësi për arsimim dhe punësim që të qëndrojnë e të jetojnë dhe të ndërtojnë jetën e tyre këtu në Shqipëri. Pensionistët kanë nevojë për rritje reale, jo elektorale të pensioneve. Pra, shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot jo nesër. Për ne e rëndësishme është që procesi të jetë i lirë dhe ndershëm. Dhe për ta mbyllur me fjalën e Nënë Terezës meqë nesër ka dhe ditën e Shenjtërimit: E djeshmja ka shkuar, e nesërmja nuk ka ardhur akoma, prandaj të fillojmë e  të punojmë menjëherë për të sotmen dhe për të nesërmen duke filluar sot të punojmë për ndryshimin”.

Më të drejtpërdrejtë aleatët e Lulzim Bashës kanë kërkuar të dielën e parë brenda periudhës zgjedhore.

Pas ndryshimeve që ju bënë Kodit Zgjedhor, periudhat zgjedhore janë dy; nga 15 Prilli në 15 Maj dhe nga 15 Tetori në 15 Nëntor.

Tv Klan