Pse po sulmohet këngëtari nga Sarajeva që vjen në Shqipëri

“Ciganë! Në sulm!” Me këto fjalë nis kënga “Kallashnikov” që po komentohet aq shumë në vendin tonë para se kantautori boshnjak Goran Bregoviç të vijë në Korçë për festën e Birrës. Po kundër kujt të shkojnë të sulmojnë ciganët, popull i paqes që kurrë nuk ka bërë asnjë luftë?

Ishte pikërisht kjo ironia e tekstit të rrëmujshëm të cilin Goran Bregoviç nuk e ka komentuar kurrë, por që e shkruajti në kulmin e luftërave për Serbinë e Madhe e që jo pak e kanë perceptuar si mbështetje pro çetnikëve serbë. Atëherë kur këngëtarët serbë, kroatë dhe boshnjakë frymëzonin ushtarët e tyre me marshet patriotikë kushtuar betejave të përgjakshme, urrejtjes për tjetrin apo himnet për fitoret e lavdishme, Bregoviç mban afër shishen e alkoolit dhe zgjedh t’i këndojë një grupi ciganësh të dehur.

Me tingujt ritmikë të orkestrës së tij, të dasmave dhe funeralëve, i fton këta të shkojnë para në sulm, një ironi therëse për këngëtarët patriotikë që i nxisnin dëgjuesit e tyre drejt luftërave të reja.

Në sulm për paqen”, kjo ishte edhe thirrja e këngëtarit para së të niste breshërinë e tingujve të “Kallashnikovit” të tij në koncertin në Firence.

I lindur në Sarajevë, me babain kroat dhe nënën serbe, Bregoviç e ngriti muzikën cigane në një nivel tjetër me talentin e tij, ndërsa vetë jetoi në udhëkryqin e luftrave në Ballkan. Filozofia cigane e jetës boheme, larg urrejtjes ndëretnike dhe pranë dehjes dhe shpengimit, u shndërrua në strehën e nostalgjikut të pakorrigjueshëm të Jugosllavisë, ku edhe nisi karrierën si anëtar i grupit Bjelo Dugme, ose Kopsa e Bardhë.

Pavarësisht reagimeve dhe manipulimeve që kanë gjetur vend kudo në rrjetet sociale, ardhja e Bregoviç për herë të parë në vitin 2006 dhe tani për së dyti në Shqipëri, është dëshmi e kësaj filozofie të bashkëjetesës etnike dhe fetare, të cilës ai i ka kënduar me muzikën e tij. Kjo prani mund të kuptohet edhe si një ndjesë ndaj keqkuptimeve të vjetra, pasi një këngëtar që nuk do ta donte Shqipërinë dhe shqiptarët, apo do të kishte urrejtje, nuk do të pranonte të vinte të këndonte për shqiptarët në Shqipëri, siç po bën për të dytën herë Bregoviç.

Kur Jugosllavia u shpërbë në vitet 90, nga lufta Serbo-Kroate, Bregoviç, ndryshe nga shumë artistë të tjerë, refuzoi të mbante anën ë njërës apo tjetrës palë. “Babai im ishte kroat katolik, nëna imë ishte ortodoksë serbe, gruaja imë ishte myslimanë” ka thënë ai. “Nuk isha në pozitat që mund të urreja askënd. Thjesht më vinte keq për të gjithë” është shprehur, i lumtur që fëmijët ë tij po i rrit në Paris. “Në Ballkan të jesh patriot, të kushton shumë. Ata duan vetëm ushtarë” u shpreh në një intervistë për AFP pak kohë më parë.

Por fakti që ai këndon në serbo-kroatisht, ka mjaftuar për të ndezur flakën e urrejtjes etnike dhe te politizimit të muzikës. Nëse duhet ta urrejmë muzikën në këtë gjuhë që këndon Bregoviç, më pas duhet të urrejmë edhe muzikën greke, edhe atë italiane, gjermane, maqedone, malazeze, turke e me radhë, vende që po ashtu e kanë pushtuar Shqipërinë dhe kanë vrarë shqiptarët. Dhe fakti që artistët jo në pak raste e përziejnë gabimisht artin më politikën, nuk mund të shërbejë për të bërë të njëjtin gabim që edhe qytetarët e një vendi po ashtu ta politizojnë artin. Aq më tepër, kur në mirëpresim çdo ditë serbë në çdo cep të Shqipërisë, në shtëpi, bujtina apo hotelet tona, pasi ata janë të tretët për nga numri i turistëve që zgjedhin të pushojnë në Shqipëri.

Tv Klan