Zbardhet jugu i Italisë e Greqisë, si dhe Stambolli

Acari që ka mbërthyer prej disa javësh veriun e Europës u shtri këtë fundjavë edhe në jug të kontinentit. Reshjet e dendura të dëborës mbërritën deri në rajonin jugor të Bazilikatës. Dëbora arriti një nivel prej pak centimetrash, por domethënës për një rajon që shumë rrallë zbardh zonat e ulëta.

Shtresa e dëborës mbuloi edhe zonat bregdetare të Adriatikut. Temperaturat në jug tejkalojnë minus 10 gradë Celcius. Orët e fundit janë shënuar 4 viktima nga aksidentet rrugore në veri të Italisë, që ku acari vijon prej disa ditësh. Në Greqi, dëbora zbriti deri në Selanik, qytet që rrallë zbardhet nga dëbora.

Dëbora është duke përparuar drejt jugut deri në Athinë. Policia njoftoi për disa raste aksidentesh si pasojë e rrëshqitshmërisë së lartë për shkak të ngricave.

Reshjet e dëborës zbardhën edhe Stambollin dhe brigjet veriore të Egjeut turk ku temperaturat megjithatë nuk shkojnë më poshtë se minus 1 gradë Celcius. Ngricat shkaktuan disa aksidente dhe probleme në qarkullimin rrugor në këto zona.

Tv Klan