Pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan, ka qenë Luiza Gaxhi 39 vjeç nga fshati Kodër i Tepelenës. Ajo ka rrëfyer se ka lindur me një dëmtim në krah, kjo pasi kur e ëma ishte duke e sjellë në jetë Luizën pati një rritje shumë të lartë tensioni, dhe mjekët për të mos e rrezikuar jetën e nënës, e tërhoqën Luizën me ganxha dhe gjatë këtij procesi i dëmtuan krahun tek pjesa e supit.

Familja e Luizës ka qenë një familje e madhe, kanë qenë katër motra dhe dy vëllezër, por tashmë janë shpërndarë duke ndërtuar jetën e tyre, babai i ka ndërruar jetë para 9 vitesh sepse vuante nga një sëmundje e keqe që i mori jetën dhe tashmë Luiza jeton vetëm me nënën e saj. Nëna e saj është e sëmurë, me diabet, hipertension dhe diagnoza të tjera.

Jeta e Luizës ka qenë e vështirë. Qëkurse ishte fëmijë, ajo ka hasur gjithmonë probleme prej invaliditetit të saj. Ka mundur të ndjekë vetëm shkollën fillore, deri në klasën e katërt, sepse fshati ku ajo jeton vetëm aq mundëson. Klasën e pestë filloi ta ndiqte, por i duhej të shkonte në një fshat larg, bënte një orë e gjysmë më këmbë vetëm për të shkuar në shkollë, por sëmurej gjithë kohës dhe e ndërpreu, nuk vijoi dot më tej shkollimin e saj. Rrjedhimisht, as nuk ka mundur të punojë.

Jeta e saj ka qenë gjithmonë brenda katër mureve, e mbyllur, e mërzitur dhe e pamotivuar. Luiza ka nevojë të bëjë ndërhyrje për të rregulluar defektin që ka në mënyrë që të ketë mundësi të punojë dhe të ndërtojë një familje.

Luiza e ka kryer një ndërhyrje tek kyçi i dorës së dëmtuar, në vitin 2000, në spitalin e Janinës, por pas ndërhyrjes, kyçi i është kthyer sërish në gjendjen fillestare. Ajo ka nevojë të kryejë dy ndërhyrje, një në sup dhe një tek kyçi (të cilat Luiza nuk e di se sa kushtojnë). E ka të domosdoshme të ndryshojë jetën e saj.

Ka njohur disa djem, të cilët e kanë vlerësuar si njeri por nuk e kanë pranuar për të ndërtuar së bashku një lidhje, për shkak të invaliditetit të Luizës. Edhe aktualisht është duke njohur dikë, por ka pasigurinë nëse do mund të funksionojë lidhja e tyre dhe a do ta pranojë familja e tij.

Mirela Milori: Të ka penalizuar defekti që ke pësuar gjatë lindjes në jetën tënde personale?

Luiza Gaxhi: Po, shumë.

Mirela  Milori: Ti ke njohur njerëz?

Luiza Gaxhi: Kam njohur njerëz dhe në një pikë thonë që nuk je për mua.

Mirela Milori: Po pse?

Luiza Gaxhi: Paragjykimet. Nuk isha e përshtatshme për ta, nuk më shikonin që mund të isha në krahun e tyre me këtë problem fizik që kam.

Mirela Milori: Që nuk duket fare, nëse nuk e thua ti, nuk kuptohet.

Luiza Gaxhi: Dakort por ekziston.

Mirela Milori: Të ka ardhur keq kur dikush është larguar duke ta thënë këtë, si je ndjerë?

Luiza Gaxhi: Jo më pëlqen që më mirë ma kanë thënë drejtpërdrejt sesa të jesh me dikë që është e kotë. Më mirë që e thotë në fillim që nuk je për mua.

Mirela Milori: Kjo “nuk je për mua” ka ardhur që në momentin e parë që i ke treguar defekti?

Luiza Gaxhi: Pasi është pirë një kafe më kanë thënë që nuk je për mua.

Mirela Milori: Të ka ardhur keq?

Luiza Gaxhi: Pak po, kujtdo do i vinte pak keq.  

Mirela Milori: Si është përditshmëria jote?

Luiza Gaxhi: Unë në shtëpi jam gjithë kohën, nuk është se dal.

Mirela Milori: Çfarë të kanë thënë mjekët për dorën?

Luiza Gaxhi: Mjekët më kanë bërë shumë ekzaminime dhe më dhanë 90-95% shpresë që do realizohej shërimi i dorës. Kam shkuar në vitin 2000 në Greqi, më bënë ndërhyrjen, pasi më hoqën allçinë dhe kur kam dashur të shkoj përsëri nuk mundesha të kaloja sepse isha me lejë kalim dhe më ngeli për gjysmë.

Mirela Milori: Po në Shqipëri?

Luiza Gaxhi: Nuk kam tentuar sepse nuk kisha mundësi.

Luiza ka treguar prej disa muajsh ajo është e fejuar me një 43-vjeçar i cili e ka pranuar ashtu siç është, por familja e tij nuk e do dhe nuk pranon, sidomos babai dhe i vëllai i tij. /tvklan.al