Raportim Live
12:44, 5 Tetor 2024

Rrugët me problematika

Akset kryesore rrugore, përfshirë rrugën Transballkanike, Bulevardin e Vlorës, Lungomare-n, si dhe rrugët “Gjergji Araniti”, “Gjergj Kastrioti” dhe “Kosova” janë të zhytura në ujë.

Qindra automjete janë ende të bllokuara nëpër rrugët e qytetit.

Probleme ka edhe në zonën e Kalasë, si dhe rrugën qe lidh Vlorën me Kaninën dhe Orikumin, ku rëshqitja e një masivi dherash në bypass ka bllokuar qarkullimin e automjeteve… Lexo më shumë

12:30, 5 Tetor 2024

Për të kuptuar më mirë se çfarë dëmesh kanë shkaktuar reshjet e dendura të shiut dje në Vlorë janë edhe këto pamje të siguruara nga gazetarja Greta Haskaj.

Bëhet fjalë për një garazh që është i zhytur totalisht në ujë duke shkaktuar dëme të mëdha në makinat e parkuara aty.

11:47, 5 Tetor 2024

Gazetarja Greta Haskaj raporton se në qendrën historike të qytetit janë dërguar disa ushtarë. Ata po punojnë për pastrimin e rrugëve. Kujtojmë se vërshimi i ujit ka sjellë me vete dhe baltën duke i bllokuar disa rrugë.

11:43, 5 Tetor 2024

Pronari i biznesit me lot në sy: Mbi 80 mijë Euro dëm. Shumë e dhimbshme për ne që punojmë

Reshjet e dendura të shiut që sollën përmbytje në Vlorë kanë dëmtuar rëndë edhe bizneset. I tillë është rasti edhe i këtij pronari biznesi që tregoi për Klan News se shkak i situatës mund të jetë bërë mosfunksionimi i hidrovorit. I përlotur tregon se dëmi i shkaktuar mund t’i kalojmë mbi 80 mijë euro.

“Mendojmë se i kalon 70-80 mijë euro, mos më shumë. Sepse vetëm një parti prodhimi që kishim për riparim ishte 75 mijë euro. Është shumë e dhimbshme për njerëzit që punojnë”, tha ai… Lexo më shumë

11:29, 5 Tetor 2024

“Katastrofë e paparë”, qytetarja: Jemi ndjerë shumë të rrezikuar

Qytetarët në Vlorë thonë se situata pas reshjeve të shiut të së premtes kanë sjellë një katastrofë për ta. Ata janë shprehur se janë ndjerë shumë të rrezikuar si nga shiu, por edhe nga gurët që kanë rrëshqitur si pasojë e motit të keq.

“Jemi ndjerë shumë të rrezikuar si nga moti si nga gurët që ka hedhur bypass nën mur. I gjithë bypass që është shkulur do vijë këtu të na mbulojë. Të gjitha shtëpitë janë mbushur me gurë e llaç. Është katastrofë e paparë”, shprehet një qytetare.

Ajo tha se deri më tani nuk ka ardhur askush nga autoritetet që të shikojë gjendjen.

11:18, 5 Tetor 2024

“Nuk futem dot në shtëpi…”, gurët dhe balta shkaktojnë dëme në dy banesa në Vlorë

Reshjet e dendura të shiut të premten në Vlorë kanë shkaktuar edhe rënie të gurëve nga një shkëmb në zonën e Kalasë.

Si pasojë e situatës janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në dy banesa, të cilat tashmë janë jashtë funksionit.

“Nuk futem dot në shtëpi. Jam në qiell të hapur, i lutem shtetit të më ndihmojë. Nuk kam ku vete më. Nuk kam rroba. Siç jam kështu, jam gdhirë tërë natën”, shprehet një prej banoreve.

Siç duket edhe nga pamjet gurët dhe balta kanë hyrë brenda banesës duke krijuar kushte të papërshtatshme për jetesë… Lexo më shumë

11:17, 5 Tetor 2024

Niveli i ujit, deri në 2 metra lartësi

Gazetarja Greta Haskaj raportoi për Klan News se ka problematika që në rrugët e hyrjes së qytetit, autostradën Vlorë-Fier dhe rrethinat e qarkut të Vlorës.

“Gjergj Araniti” dhe “Hasan Kushta” janë rrugët më problematike në qytet.

“Kjo është një nga akset më problematike në qytetin e Vlorës e cila lidh Rrugën Transballkanike me bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë. Një kryqëzim që përdoret si rrugë ndërlidhëse për të shmangur dhe trafikun. Zakonisht në reshje shiu me intensitet të lartë përfshihet nga përmbytje, por asnjëherë si këtë herë”, raportoi gazetarja.

Haskaj raportoi se uji në disa zona ka qenë deri në dy metra lartësi.

11:16, 5 Tetor 2024

Ermal Dredha: Të gjithë strukturat në terren, po punojmë me prioritete

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha se të gjitha strukturat janë në terren. Ai tha se hidrovori punon me kapacitet të plotë megjithatë pavarësisht se kanë kaluar disa orë ka ende disa zona më problematike.

Ne jemi në terren. E shikoni që prezenca e të gjitha strukturave ka qenë prezente kudo munden. Patjetër që ka zona ku mund të ketë ankesa nga qytetarët që nuk pati reagim, por në fakt reagimi ka qenë maksimal nga të gjitha strukturat. Kini parasysh se është edhe numri i mjeteve që na kufizon ndonjëherë që ne të reagojmë në moment në çdo segment, por i kemi marrë me prioritete. Aty ku realisht prezenca e ujit është më e madhe, aty ku ka dhe akses më të madh qoftë edhe të qarkullimit të mjeteve duhet të reagojmë më shpejt”, tha ai… Lexo më shumë 

11:13, 5 Tetor 2024

Pavarësisht se tashmë nuk bie më shi, në katër kryqëzime ka ende problematika pasi mbeten të bllokuara. Bëhet fjalë për zonat më të prekura nga situata e keqe e motit.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, thotë se në terren po punojnë struktura nga Bashkia e Vlorës, Ujësjellës Kanalizimet të Vlorës, Drejtoria e Policisë, OSHEE dhe Prefektura.

Në mbështetje të tyre janë edhe 24 efektivë të Forcave të Armatosura me 5 mjete transporti, 3 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 2 pompa thithëse. Në zonat ku ka prani uji në kabinat elektrike është stakuar energjia në disa blloqe banesash.

“Trupat në terren po punojnë për largimin e ujit në blloqet e banesave midis akseve të bllokuara: te Universiteti, rruga “Albano e Romina”, Dyqanet e reja, si dhe te Kisha Ortodokse. Prezencë uji ka dhe brenda xhamisë së qytetit”, njoftoi ministri Vengu.

11:12, 5 Tetor 2024

Dëmet pas përmbytjeve në Vlorë

Qarku i Vlorës u përfshi të premten nga reshje të pazakonta shiu të cilat kanë krijuar përmbytje në disa zona. Po ashtu raportohet për dëme të shumta edhe në banesa e biznese. Në këtë raportim live do të mund të ndiqni se si paraqitet tashmë situata në Vlorë, një ditë pas reshjeve.