Raportim Live
15:06, 5 Tetor 2024

‘Shpërthen’ punonjësi i hidrovorit në Vlorë: Na shkatërruan pompat me plehrat! Këta nuk janë njerëz, por derra…

Një punonjës i hidrovorit tha se shkak i nxjerrjes jashtë pune të pompave janë mbeturinat që hedhin njerëzit.

“Në more vëlla këtu, ti e shikon vetë dhe filmon. Këtu na shkatërruan pompat nga llozhat që hedhin njerëzit në kanal. Na nxorrën dy pompa jashtë loje. Shikoji janë me mijëra llozha, dyshekë, jorgan e batanije, rrogoza, çfarë nuk kanë bllokuar. Çfarë të bëjmë? Na ka mbetur tani që të hedhim vetëm krokodila në ujë këtu që t’i hanë me llozhëra ata që hedhin llozha në kanal. Kjo na ka mbetur s’ka më. Na shkatërruan pompat more. Dy pompat e mëdha na i nxorrën jashtë loje. I bëjmë thirrje qeverisë të na bjerë dy pompa të reja. Na i shkatërruan more këta njerëz. Nuk janë njerëz por janë derra. Lloj lloj jorgan, batanije. Kolltuqe, divana, thashë. Të tëra këtu i ke. Kjo ka qenë gjithmonë historikisht këtu në hidrovor dhe janë problem që hedhin njerëzit e pandërgjegjshëm në kanal. Kjo është e vërteta”, tha një punonjës i hidrovorit… Lexo më shumë

13:50, 5 Tetor 2024

A do të përkeqësohet situata e përmbytjeve? Sinoptikani tregon si do të jetë moti në fundjavë

Hakil Osmani nga MeteoAlb na bëri një parashikim të motit gjatë fundjavës. Ai tha se në orët në vijim parashikohet të sjellin vranësira të shpeshta në vendin tonë të cilat herë pas here do të krijojnë mundësi për momente të pakta me reshje shiu.

Më prezente dhe më të dukshme do të jenë në zonat lindore dhe verilindore. Ndërsa zonat bregdetare parashikohet të jetë kryesisht në mbizotërimin e vranësirave të shpeshta dhe vetëm ndonjë moment i izoluar me momente të pakta shiu.

“Nuk është se pritet të kemi prezente reshje të cilat do të përkeqësojnë situatën sa i përket përmbytjeve në disa zona të territorit shqiptar”, tha Osmani… Lexo më shumë

13:25, 5 Tetor 2024

Pamjet brenda banesës në Vlorë, të gjitha dhomat të mbushura me ujë

Këto pamje që na vijnë janë nga brenda një shtëpie në qytetin bregdetar. Dëmet janë të pallogaritshme. Çdo dhomë e kësaj banese ka prani të konsiderueshme uji duke e bërë jetesën aty të pamundur… Lexo më shumë

13:15, 5 Tetor 2024

12:44, 5 Tetor 2024

Rrugët me problematika

Akset kryesore rrugore, përfshirë rrugën Transballkanike, Bulevardin e Vlorës, Lungomare-n, si dhe rrugët “Gjergji Araniti”, “Gjergj Kastrioti” dhe “Kosova” janë të zhytura në ujë.

Qindra automjete janë ende të bllokuara nëpër rrugët e qytetit.

Probleme ka edhe në zonën e Kalasë, si dhe rrugën qe lidh Vlorën me Kaninën dhe Orikumin, ku rëshqitja e një masivi dherash në bypass ka bllokuar qarkullimin e automjeteve… Lexo më shumë

12:30, 5 Tetor 2024

Për të kuptuar më mirë se çfarë dëmesh kanë shkaktuar reshjet e dendura të shiut dje në Vlorë janë edhe këto pamje të siguruara nga gazetarja Greta Haskaj.

Bëhet fjalë për një garazh që është i zhytur totalisht në ujë duke shkaktuar dëme të mëdha në makinat e parkuara aty.

11:47, 5 Tetor 2024

Gazetarja Greta Haskaj raporton se në qendrën historike të qytetit janë dërguar disa ushtarë. Ata po punojnë për pastrimin e rrugëve. Kujtojmë se vërshimi i ujit ka sjellë me vete dhe baltën duke i bllokuar disa rrugë.

11:43, 5 Tetor 2024

Pronari i biznesit me lot në sy: Mbi 80 mijë Euro dëm. Shumë e dhimbshme për ne që punojmë

Reshjet e dendura të shiut që sollën përmbytje në Vlorë kanë dëmtuar rëndë edhe bizneset. I tillë është rasti edhe i këtij pronari biznesi që tregoi për Klan News se shkak i situatës mund të jetë bërë mosfunksionimi i hidrovorit. I përlotur tregon se dëmi i shkaktuar mund t’i kalojmë mbi 80 mijë euro.

“Mendojmë se i kalon 70-80 mijë euro, mos më shumë. Sepse vetëm një parti prodhimi që kishim për riparim ishte 75 mijë euro. Është shumë e dhimbshme për njerëzit që punojnë”, tha ai… Lexo më shumë

11:29, 5 Tetor 2024

“Katastrofë e paparë”, qytetarja: Jemi ndjerë shumë të rrezikuar

Qytetarët në Vlorë thonë se situata pas reshjeve të shiut të së premtes kanë sjellë një katastrofë për ta. Ata janë shprehur se janë ndjerë shumë të rrezikuar si nga shiu, por edhe nga gurët që kanë rrëshqitur si pasojë e motit të keq.

“Jemi ndjerë shumë të rrezikuar si nga moti si nga gurët që ka hedhur bypass nën mur. I gjithë bypass që është shkulur do vijë këtu të na mbulojë. Të gjitha shtëpitë janë mbushur me gurë e llaç. Është katastrofë e paparë”, shprehet një qytetare.

Ajo tha se deri më tani nuk ka ardhur askush nga autoritetet që të shikojë gjendjen.

11:18, 5 Tetor 2024

“Nuk futem dot në shtëpi…”, gurët dhe balta shkaktojnë dëme në dy banesa në Vlorë

Reshjet e dendura të shiut të premten në Vlorë kanë shkaktuar edhe rënie të gurëve nga një shkëmb në zonën e Kalasë.

Si pasojë e situatës janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në dy banesa, të cilat tashmë janë jashtë funksionit.

“Nuk futem dot në shtëpi. Jam në qiell të hapur, i lutem shtetit të më ndihmojë. Nuk kam ku vete më. Nuk kam rroba. Siç jam kështu, jam gdhirë tërë natën”, shprehet një prej banoreve.

Siç duket edhe nga pamjet gurët dhe balta kanë hyrë brenda banesës duke krijuar kushte të papërshtatshme për jetesë… Lexo më shumë

11:12, 5 Tetor 2024

Dëmet pas përmbytjeve në Vlorë (Të gjitha zhvillimet)

Qarku i Vlorës u përfshi të premten nga reshje të pazakonta shiu të cilat kanë krijuar përmbytje në disa zona. Po ashtu raportohet për dëme të shumta edhe në banesa e biznese. Në këtë raportim live do të mund të ndiqni se si paraqitet tashmë situata në Vlorë, një ditë pas reshjeve.