Reshjet e dendura të shiut që mbizotëruan ditën e djeshme në vendin tonë ia kanë lënë sot vendin diellit, por pasojat e përmbytjeve në Vlorë janë ende prezente.

Shumë zona në qytet janë ende nën pushtetin e ujit, ndërsa nuk mungojnë problemet edhe me mungesën e energjisë.

Kështu akset kryesore rrugore, përfshirë rrugën Transballkanike, Bulevardin e Vlorës, Lungomare-n, si dhe rrugët “Gjergji Araniti”, “Gjergj Kastrioti” dhe “Kosova” janë të zhytura në ujë.

Qindra automjete janë ende të bllokuara nëpër rrugët e qytetit, ndërsa rreth 55 banorë janë evakuuar dhe do të qëndrojnë në konvikte të universitetit të Vlorës. Tre persona janë shpëtuar nga përmbytjet, përfshirë një grua e cila, fatmirësisht, shpëtoi pa lëndime serioze.

Me dhjetëra banesa dhe hyrje pallatesh janë ende të zhytura në ujë. Këto janë pamjet në banesat private të disa prej banorëve të prekur.

“Nuk futem dot në shtëpi. Jam në qiell të hapur, i lutem shtetit të më ndihmojë. Nuk kam ku vete më. Nuk kam rroba. Siç jam kështu, jam gdhirë tërë natën”, shprehet një prej banoreve.

Ndërsa bizneset kanë nisur të largojnë ujin dhe të bëjnë bilancin e dëmeve, ku sipas tyre arrin në miliona Lekë.

Sipas tyrë kjo situatë nuk është parë asnjëherë në Vlorë dhe shkak mendojnë se është mosfunksioni i hidrovorit.

Problematike është situata edhe në zonën e Kalasë ku si pasojë e rrëshqitjes së gurëve janë rrezikuar disa banesa.

Rrëshqitjet e dherave kanë krijuar probleme edhe në rrugët që lidhin Kaninën dhe Orikumin me Vlorën.

Situatën problematike në Vlorë e ka konfirmuar edhe kryetari i bashkisë, Ermal Dredha.

“Hidrovori ka qenë në kapacitet të plotë, por dy nga pompat nuk kanë funksionuar për shkak të vjetërsisë…”

Dredha thotë se bashkia është duke monitoruar situatën dhe se po shikohet mundësia për mbështetje financiare për familjet e prekura nga përmbytjet.

Në ndihmë të banorëve ka qenë edhe ushtria.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu thotë së 62 objekte janë nën ujë. Ministri thotë se janë probleme teknike dhe infrastrukturore ato që sollën këtë situatë.

Çlirimi i ujërave nga pallatet dhe banesat është prioritet. Ndërkohe që një prej pompave të hidrovorit të Vlorës u përfshi nga flakët duke dalë jashtë përdorimit.

Ndërkohë në qytetet e tjera përmbytjet e një dite më parë nuk kanë shkaktuar dëme.

Tv Klan