Reshjet e dendura të shiut të premten në Vlorë kanë shkaktuar edhe rënie të gurëve nga një shkëmb në zonën e Kalasë.

Si pasojë e situatës janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në dy banesa, të cilat tashmë janë jashtë funksionit.

“Nuk futem dot në shtëpi. Jam në qiell të hapur, i lutem shtetit të më ndihmojë. Nuk kam ku vete më. Nuk kam rroba. Siç jam kështu, jam gdhirë tërë natën”, shprehet një prej banoreve.

Siç duket edhe nga pamjet gurët dhe balta kanë hyrë brenda banesës duke krijuar kushte të papërshtatshme për jetesë. Siç ka mësuar gazetarja Greta Haskaj, dëshmitarët e ngjarjes tregojnë se në momentin e rënies, ata dolën jashtë për siguri dhe kërkuan ndihmë nga institucionet, por deri tani nuk kanë marrë asnjë reagim.

Banorët bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente dhe mbështetje nga autoritetet./tvklan.al