Reshjet e dendura të shiut të premten shkaktuan përmbytje në qytetin e Vlorës. Pavarësisht se tashmë nuk bie më shi, në katër kryqëzime ka ende problematika pasi mbeten të bllokuara. Bëhet fjalë për zonat më të prekura nga situata e keqe e motit.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, thotë se në terren po punojnë struktura nga Bashkia e Vlorës, Ujësjellës Kanalizimet të Vlorës, Drejtoria e Policisë, OSHEE dhe Prefektura.

Në mbështetje të tyre janë edhe 24 efektivë të Forcave të Armatosura me 5 mjete transporti, 3 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 2 pompa thithëse. Në zonat ku ka prani uji në kabinat elektrike është stakuar energjia në disa blloqe banesash.

“Trupat në terren po punojnë për largimin e ujit në blloqet e banesave midis akseve të bllokuara: te Universiteti, rruga “Albano e Romina”, Dyqanet e reja, si dhe te Kisha Ortodokse. Prezencë uji ka dhe brenda xhamisë së qytetit”, njoftoi ministri Vengu.

Hidrovori i qytetit po punon me kapacitet të plotë dhe kjo konfirmohet edhe nga kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha.

“Parashikimi sipas bisedave që kemi pasur duhet të ikë sot në 12:00, por kini parasysh që është në kapacitet të plotë edhe hidrovori, nuk ka munguar asnjë moment së punuari por dihet që janë pak të mbartura, janë investime të vjetra, duhet parë mundësia që të paktën më vonë nga katër pompa që kemi dy i kemi të reja, dy duhet t’i ndërrojmë”, u shpreh ai.

Dredha tha se të gjithë strukturat janë në terren dhe se situata u krijua për shkak të shiut të dendur që ra në tre orë, e barabartë me 1 muaj prurje.

“Ne jemi në terren. E shikoni që prezenca e të gjitha strukturave ka qenë prezente kudo munden. Patjetër që ka zona ku mund të ketë ankesa nga qytetarët që nuk pati reagim, por në fakt reagimi ka qenë maksimal nga të gjitha strukturat. Kini parasysh se është edhe numri i mjeteve që na kufizon ndonjëherë që ne të reagojmë në moment në çdo segment, por i kemi marrë me prioritete. Aty ku realisht prezenca e ujit është më e madhe, aty ku ka dhe akses më të madh qoftë edhe të qarkullimit të mjeteve duhet të reagojmë më shpejt. Një rast është edhe rasti këtu te “Albano dhe Romina”. Është një rast që përsëritet sa herë ka prurje reshjesh më shumë se normalen. Mos harroni që dje kanë rënë 180 mm shi që është baraz me 1 muaj prurje nëse do ketë shi të vazhdueshëm për një muaj. Pra imagjinoni që gjithë këto prurje reshjesh kanë ardhur për vetëm 3 orë. Pastaj të vendosim edhe pjesën tjetër që ka zona në Vlorë që janë nën nivelin e caktuar, pra ka një disnivel mes rrugëve dhe ajo pastaj krijon këtë efektin vaskë po themi”, tha Dredha.

 Pas stabilizimit të situatës, Dredha tha se do të krijohet një databazë për të marrë masa me kompensimet për dëmet që janë shkaktuar në banesa.

“Unë e përmenda dhe dje që janë gati 55 banorë në fakt që janë evakuuar dhe janë në dy konviktet që kemi ne tek Shkolla Tregtare dhe Shkolla Mjekësore. Janë asistuar qoftë me veshmbathje, qoftë me ushqime. Kjo nuk mjafton sepse jemi duke bërë një databazë me gjithë informacionet që kemi për të marrë ato masat që vijnë më pas edhe suportit financiar dhe kompensimet për dëmin që u është shkaktuar qoftë në banesa. Bizneset nuk janë pjesë e paketës, do shikojmë që t’u heqim ujin nga ambientet dhe pastaj të shikojmë si funksionon kjo paketë”, tha ai.

Gazetarja Greta Haskaj raportoi për Klan News se ka problematika që në rrugët e hyrjes së qytetit, autostradën Vlorë-Fier dhe rrethinat e qarkut të Vlorës.

“Gjergj Araniti” dhe “Hasan Kushta” janë rrugët më problematike në qytet.

“Kjo është një nga akset më problematike në qytetin e Vlorës e cila lidh Rrugën Transballkanike me bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë. Një kryqëzim që përdoret si rrugë ndërlidhëse për të shmangur dhe trafikun. Zakonisht në reshje shiu me intensitet të lartë përfshihet nga përmbytje, por asnjëherë si këtë herë”, raportoi gazetarja.

Haskaj raportoi se uji në disa zona ka qenë deri në dy metra lartësi./tvklan.al