Dy ditë më parë, një 16-vjeçar shqiptar u përplas për vdekje nga një makinë në Ischia të Italisë. Drejtuesja e mjetit që përplasi për vdekje adoleshentin është arrestuar me akuzën e vrasjes në rrugë. Disa vite më parë, ajo ishte përfshirë në një tjetër aksident ku kishte përplasur një punonjës policie.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, ka reaguar ashpër deputetja italiane Michela Rostan (Leu), nënkryetare e Komisionit për Çështjet Sociale në Parlamentin e Italisë. Në një postim në Facebook, ajo kritikon mediat që nuk i kanë dhënë hapësirën e duhur aksidentit që i mori jetën adoleshentit shqiptar.

Sipas saj, rasti i shoferes që është përfshirë në dy aksidente me vdekje është një këmbanë alarmi për të gjithë. Deputetja Rostan shprehet se nuk ka rëndësi nëse viktima është italian apo shtetas i huaj, po kështu edhe shkaktari i aksidentit. Ajo thotë se të gjithë duhet të trajtohen njësoj.

“Në Ischia, një 16-vjeçar u përplas nga një makinë dhe humbi jetën. Një tragjedi, shumë prej të cilave ndodhin në rrugët tona, por që u trajtua në mënyrë sipërfaqësore nga gazetat lokale. Kur lexojmë artikullin, zbulojmë dy gjëra. Djali ishte shqiptar dhe kishte shkuar për pushime tek motra e tij. Autorja është italiane dhe 7 vite më parë kishte përplasur për vdekje një polic. Unë besoj që viktimat, italianë apo të huaj, meritojnë të njëjtën vëmendje, atë ndjenjë njerëzore për ata që humbasin jetën në rrethana dramatike. Në të njëjtën kohë, shkaktarët, italianë apo të huaj, duhet të gjykohen dhe të ndëshkohen për gjërat që kanë bërë“, deklaron deputetja Michela Rostan në postimin e saj në Facebook.

Xhemal Velsami u përplas nga një makinë tip Peugeot teksa po kalonte në anën tjetër të rrugës. Ekspertët e policisë thanë se drejtuesja e mjetit nuk kishte frenuar në momentin e aksidentit. /tvklan.al