Prokuroria ka dhënë detaje për mënyrën sesi i dekonspironte operacionet e policisë inspektori i arrestuar këtë të enjte, Engrid Hënaj.

Në një njoftim të sajin, Prokuroria e Kavajës sqaron se kishte nën hetim Fation Lilën, i dyshuar për vjedhje në bashkëpunim, me pasoja të rënda. Ai dyshohej se në bashkëpunim me persona të tjerë, kishin vjedhur tre automjete në një kompleks magazinash në Kavajë.

Ndaj tij, me kërkesë të Prokurorisë së Kavajës, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, vendim i cili për disa kohë nuk u bë e mundur të ekzekutohej, pasi ai fshihej.

Gjatë kohës që ka qenë në kërkim, ai komunikonte shpesh me një punonjës policie, i cili më pas rezultoi se ishte Engrid Hënaj Ky i fundit e informonte të kërkuarin që në fazat e para të hetimit për vjedhjen, pra që në momentin kur ndaj tij nuk kishte dalë akoma masa e sigurimit.

Në komunikimet telefonike ndërmjet tyre, punonjësi i Policisë ishte i pari që e informoi se emri i Fation Lilës ishte ndër të dyshuarit kryesorë për vjedhjen e automjeteve.

Gjithashtu, punonjësi i policisë e informoi që ndaj tij kishte dalë masa e sigurisë “arrest me burg”.

Pas disa javësh, Policia e Kavajës arrestoi Fation Lilën dhe ndaj tij tashmë ka nisur procesi gjyqësor pranë Gjykatës së Kavajës.

Ndërkohë, Prokuroria vijoi hetimet për personin që e informonte Lilës gjatë kohës që ai ishte në arrati. Në bazë të veprimeve proceduriale, rezultoi se ai ishte Engrid Hënaj, i cili ishte punonjës policie pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Në këto kushte, Prokuroria e Kavajës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Engrid Hënaj, e cila u pranua nga gjykata dhe u zbatua nga ana e SHÇBA-së./tvklan.al