Ariela Murati, studentja e juridikut e vrarë të dielën në mesditë në Rrugën e Dibrës, ka qenë e lidhur prej së paku 4 vitesh me autorin e krimit, Aldison Belulaj. Burimet nga grupi hetimor japin një tjetër version të ngjarjes. Të dy të rinjtë, mësohet se janë ndarë 2 muaj më parë.

Dyshohet se shkak i ndarjes është bërë fakti se Belulaj kishte qëndruar një kohë të gjatë jashtë vendit, ndërsa ishte kthyer më pas në Shqipëri. Në këtë kohë Belulaj ka mësuar edhe faktin se Ariela nuk dëshironte të qëndronte e lidhur më me të.

Pasi ka tentuar ta takojë disa herë, ajo e kishte refuzuar. Dhjetë ditë më parë studentja e juridikut, kishte vendosur të ndërronte numrin e telefonit për të mos u shqetësuar më në telefon nga Aldisoni. Për këtë shkak 23-vjeçari kishte vendosur edhe të ndërmerrte veprimin ekstrem.

Sipas burimeve të policisë Belulaj, kishte blerë pak ditë më parë një pistoletë “Zastava”, me të cilën kreu edhe krimin. Hetuesit pritet të administrojnë edhe deklarime të të afërmve të Ariela Muratit, të cilët pritet të hedhin më tepër dritë mbi rrethanat e konfliktit mes dy të rinjve.

Tv Klan