Dhjetëra shkolla nuk hapin dyert të hënën


Dhjetëra shkolla nuk hapin dyert të hënën

23:44 11/09/2020

Sfida e nxënësve për të zhvilluar mësim të reduktuar dhe me turne

143 godina arsimore janë dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit, prej të cilave 90 janë shkolla, që nuk do të hapin dyert për nxënësit këtë 14 shtator. Pjesa më e madhe është e përqendruar në Durrës, Vorë, Kurbin, Krujë dhe Tiranë.

Procesi i rindërtimit për këto objekte është në faza të ndryshme. Ka shkolla që janë karabina pasi kanë ecur punimet, ka shumë të tjera që ende nuk janë shembur, por ka dhe nga ato shkolla që edhe pse janë shembur as inertet nuk janë larguar. I tillë është edhe gjimnazi “Sami Frashëri”.

Nxënësit e kësaj shkolle do ta bëjnë mësimin te “Çajupi” dhe shkollat do të funksionojnë me 4 turne. Duke rikthyer kështu shkollat  e natës. Sepse mësimi do të zgjasë deri në orën 20:00 të mbrëmjes.

Ndërsa orët e mësimit do të jenë vetëm 25 minuta. 497 shkolla do të bëjnë mësimin me dy turne, dhe orë mësimore 30 minuta. Ndërsa 193 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme do të bëjnë mësimin me 3dhe 4 turne. Këto shkolla janë kryesisht në Tiranë pasi ka numër të lartë nxënësish por edhe në zonat që shkollat janë dëmtuar nga tërmeti.

Të gjitha shkollat e kryeqytetit mësimin  do ta kenë me turne pasi klasat janë ndarë në grupe më të vogla nxënësish, për të respektuar masat anti-covid. Kjo gjë ka vënë në vështirësi prindërit por edhe vetë mësuesit. Shkurtimi i orëve mësimore po i detyron prindërit t’i çojnë fëmijët në qendra private pas shkollës, duke rritur jo vetëm kostot por edhe rrezikun  e infektimit nga COVID-19.

Duke qenë se ende në shumë shkolla ka probleme, drejtuesit e zyrës arsimore të Tiranës u ka kërkuar mësuesve që edhe nesër pavarësisht se është e shtunë të paraqiten  në punë.

Klan Plus





Të ngjashme