Nëse miratohet në të dyja dhomat, Presidenti shkarkohet

Orë vendimtare për hetimin penal ndaj Donald Trump-it, që mund të çojë në shkarkimin e tij si President i Shteteve të Bashkuara. Dhoma e Ulët e Kongresit pritët të votojë sot nisjen e hetimeve penale mbi dyshimet se Trump ka shfrytëzuar postin, në dobi të fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Demokratët akuzojnë Presidentin se i ka bërë presion homologut ukrainas Volodimir Zhelenski, të nxisë hetimet për rivalin e mundshëm demokrat Joe Biden, mbi dyshimet se ky i fundit ka ndikuar në shkarkimin e kryeprokurorit në Ukrainë, kur ishte zv/president.

Qëllimi sipas demokratëve është të dëmtojnë figurën e tij para të zgjedhjeve të 3 Nëntorit 2020. Trump dyshohet se ka mbajtur peng nënshkrimin e ndihmës ushtarake 400 milionë dollarëshe për Ukrainën, derisa Zhelenski të pozicionohej pro hetimeve për Biden.

Akuzat janë mbështetur në telefonatën e 25 Korrikut që Trump pati me Zhelenskin dhe mbi dëshmitë ambasadorëve amerikanë në Ukraninë dhe BE, të cilët kanë pasur dijeni për këtë rast. Megjithatë, si Presidenti Trump ashtu edhe homologu Zhelenski e kanë mohuar presionin.

Edhe nëse miratohet në Dhomën e Ulët, hetimi penal ndaj Trump-it mund të mos e kalojë votimin në senat në Janar ku republikanët kanë shumicën.

Tv Klan