“Blutë” mundin Kastriotin me rezultatin 2-0, rikthehen me fitore pas 9 vitesh ne superiore

Pas nëntë vitesh mungesë në elitën e futbollit shqiptar, Dinamo rikthehet me fitore. “Blutë” mundën Kastriotin me rezultatin 2-0 në takimin që u luajt në stadiumin e Kamzës.

Dinamoja e zgjidhi sfidën që në 19 minutat e para, duke kaluar dy herë në avantazh kundër krutanëve. U kuptua shumë shpejt se kjo sfidë do të ishte e “nëndetëses”, pasi Çinedu zhbllokoi rezultatin pas vetëm 37 sekondash.

Pas disa rasteve për ekipin e drejtuar nga Shkëmbi, është sërish Çinedu që realizoi golin e dytë në minutën e 19. Konfirmimi erdhi pas kontrollit të sistemit VAR, pasi arbitri anësor ngriti flamurin për pozicion jashtë loje.

Kastrioti u përpoq që të gjente golin, por e pati të pamundur që të thyente mbrojtjen dinamovite.  Por edhe fati nuk ishte me krutanët, ku Greca në minutën e 84’, goditi shtyllën. Tri pikë të merituara për 18 herë kampionët e vendit që dhuruan një lojë interesante në fushë ndaj Kastriotit.

Klan News