Të shumta janë revistat e huaja që e kanë cilësuar Shqipërinë si një ndër vendet ku zbulon parajsa të virgjëra, ku ditët me diell janë prezente gjatë gjithë verës dhe ku ushqimi mbetet i pasur dhe bio. Shqipëria është padyshim një ndër vendet që ka resurset natyrore turistike që do t’ia kishte zili cilido vend tjetër.

Edhe këtë sezon, veror riviera shqiptare, por kryesisht brigjet e jugut patën më së shumti turistë të huaj dhe pushues shqiptarë. Por statistikat e fundit financuar nga Komisioni Evropian tregojnë se 81% e familjeve shqiptare nuk kanë të ardhura as për të përballuar një javë pushime larg shtëpisë. Shifër kjo që tregon se pushimet në Shqipëri janë një privilegj i pakicës, ndërsa pjesa më e madhe e familjeve duhet të luftojnë për të përmbushur nevojat e mbijetesës.

Ka pasur shumë ngjarje të bukura, por edhe të hidhura, siç ishte ajo e Mihal Kokëdhimës, pronar i një resorti në Porto Palermo të Himarës që tronditi jo vetëm familjen spanjolle që hasën në turizmin shqiptar. E për të diskutuar lidhur me turizmin në vend ishin të ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan gazetarët Erion Kristo, Flora Xhemani, Eni Shehu dhe Gerta Gixhari.

“Ne ende si Shqipëri nuk kemi një strategji të qartë për turizmin dhe ne kujtohemi për të kur ka shkuar temperatura 40 gradë. Ne ende nuk dimë çfarë do të thotë të shërbesh. Këtë vit kemi mësuar disi, por ende ka vend për përmirësim”, tha Kristo.

“Jo më larg se dy ditë më përpara në një revistë franceze shkruante për bukuritë natyrore të Shqipërisë dhe thuhej se betonizimi ishte ai që po kërcënonte zhvillimin e turizmit. Unë e njihja personalisht Mihalin, kam bërë reportazhe dhe dy ditë pasi ishin qetësuar gjakrat bëra një postim, jo për t’i dalë në krah, por për të dhënë copëza të tilla të pazëllit. Prona e tij ishte në proces legalizmi, por rasti i tij nuk besoj se ka ndikuar në turizëm”, tha Shehu.

“Është për të ardhur keq që shohim skena të tilla. Ka pasur edhe raste të tjera me pronarë lokalesh, por nuk kanë qenë të filmuara dhe rasti i Mihalit i vuri kapakun. Kjo situatë është prezente në vendin tonë”, tha Gixhari./tvklan.al