Në 5 muajt e 2021 janë kryer mbi 17 mijë dhurime vullnetare gjaku

Pavarësisht vështirësisë që ka krijuar pandemia, në 5 muajt e parë të këtij viti janë kryer mbi 17 mijë dhurime vullnetare gjaku. Shifrat I bëri të ditura drejtori i Bankës së Gjakut, Kristo Rraca në Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut.

 “Situata me dhurimet vullnetare dhe familjare për këtë vit është shumë e kënaqshme. Jemi në nivele të kënaqshme në krahasim me vitin 2019, jemi më mirë se viti 2019. Kemi arritur deri në 17.000 dhurime deri në 5-mujorin e parë. Fëmijëve talasemikë nuk u ka munguar asnjëherë gjaku, edhe në pandeminë e vitit 2020 që ishte një vit i vështirë”.

I pranishëm tek qendra e dhurimit të gjakut te Muzeu Kombëtar në kryeqytet, ambasadori spanjoll në Tiranë, Marcos Alonso u shpreh se kjo ditë duhet të shërbejë si solidaritet për kategoritë që kanë nevojë për gjak.

 “Sot është ditë solidariteti, jam i lumtur që ambasada jonë bashkëpunon me Kryqin e Kuq Shqiptar për kauza të tilla. Ka qenë një periudhë tepër e vështirë për shkak të COVID-19, e veçanërisht për mjekët apo dhe spitalet në luftën ndaj virusit. Jam shumë i lumtur që tregohemi solidarë duke dhuruar gjak për shqiptarët”, tha ai.

Që prej vitit 2004, më 14 Qershor në shumë vende të botës organizohet Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut, e cila ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës për kauza të tilla.

Klan News