Dita e Verës ka vëmendjen më të madhe sot në Elbasan, aty ku atmosfera është shumë festive.

Mendohet se rreth 200 mijë qytetarë do të jenë pjesë e festimeve në rrugët e sheshet e këtij qyteti. Elbasani vazhdon të mbetet epiqendra e kësaj feste pagane. Dita e Verës konsiderohet si festa e  ripërtëritjes, bukurisë dhe begatisë.

Kulmi i aktiviteteve arrin me karnavalet, me demonstrime sportive dhe me vazhdimin e koncertit të madh. Më pas njerëzit do t’i drejtohen natyrës, pasi moti e mundëson një gjë të tillë.

Për mbarëvajtjen e festës janë angazhuar 321 forca policie të Elbasanit, të mbështetura edhe nga Forcat Speciale nga Tirana.

Edhe qeveria shqiptare është zhvendosur prej dy ditësh në Elbasan.

Gjatë ditës së sotme axhenda qeveritare do të vazhdojë me dorëzimin e certifikatës së pronësisë Kishës Katolike, vizitë në Panairin e madh tek Pallati i sportit, ecje në bulevard dhe kalimi tek sokakët e restauruara të kalasë etj. Gjithashtu sot në Elbasan shkon dhe lideri i opozitës Lulzim Basha. /abcnews.al