Një person i dytë është vënë në pranga në lidhje me vrasjen e 62-vjeçarit Enver Balla, ngjarje e ndodhur në Shënavlash të Durrësit.

Edison Brahaj, 25 vjeç është arrestuar pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me djalin e viktimës, Esmeraldin për transportimin me automjet të trupit të viktimës nga vendi i ngjarjes deri tek vendi ku u gjet nga policia.

“Gjatë kontrollit në banesën e E. B., u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh. Për sa më sipër, ky shtetas u arrestua për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës””, njoftoi policia.

Mësohet se 25-vjeçari Brahaj është banues në Shënavlash ndërsa me origjinë nga Kukësi.

Ndërkohë detaje të reja janë zbuluar nga ky krimi i rëndë.

Kasaforta e prerë me gur fresibël në pjesën e pasme të saj dhe që ndodhej në dhomën e Esmerald Ballës, ishin indiciet e para të hetuesve se pas zhdukjes së Enver Ballës fshihej diçka tjetër. 

Që prej momenteve të para që Esmerald Balla bëri denoncim në polici, hetuesit i morën me rezerva deklarimet e tij dhe e mbajtën në vëzhgim.

Siç ka mësuar gazetari Besar Bajraktaraj, në deklarimet e para për kasafortën, hetuesit patën dëshmi kontradiktore në lidhje me çelësin, që herë thoshte e mbante babai e herë ai vetë.

Pasi kishte sajuar historinë se i ati kishte ikur me një grua, e cila i kishte shkuar në Instagram, policia vendosi t’i sekuestrojë celularin, tek i cili u ndërhy me ekspertë të IT.

Aty u zbuluan prova që zbërthyen ngjarjen. Përveç fotove të vajzave të gjetura në celular u gjet edhe një screenshot bisede: Një grua që i shkruante se kishte ikur me babain e tij.

Por nga hetimi u zbulua se i njëjti profil që i kishte shkruar ishte i tij, i hapur në celular, duke zbuluar mashtrimin.

I riu u mbajt për disa kohë në përgjim, por ka qenë i kujdesshëm në komunikim. Hetuesit kishin që në fillim dyshime të forta se ai nuk kishte vepruar vetëm dhe se kishte bashkëpunëtorë jashtë familjes.

Këta të fundit nuk dinin asgjë mbi fatin e babait, që u vra nga djali Esmeraldi dhe besuan historinë e sajuar të largimit me një grua.

30-vjeçari Esmerald Balla vrau babanë më 13 Gusht dhe më pas e hodhi në një pus. Në të njëjtën ditë, ai denoncoi se i ati ishte larguar nga banesa.

Shkak për ngjarjen e rëndë dyshohet që të jenë bërë debatet e shumta për paratë pasi në kasafortë mendohet se Enver Balla mbante rreth 75 milionë Lekë të vjetra./tvklan.al