Nga qelia e burgut, kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës ka shkruar letrën e dorëheqjes nga detyra. Jorgo Goro deklarohet i pafajshëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shpjegon se nuk ka lidhje me falsifikimin e pretenduar nga organi i akuzës.

“Akuzohem për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” me zyrtarë në Vlorë që s’kam asnjë lidhje dhe për “falsifikim” dokumentash që tek kryetari i bashkisë kalojnë vetëm për firmë. Por ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e me moral. Natyrisht e doja të ishte ndryshe largimi im dhe jo me një letër nga një qeli paraburgimi, po jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqiat që na gjejnë!”

Goro qëndroi në detyrë edhe pse i humbi zgjedhjet, pasi fituesi Fredi Bleri njësoj si ai, po qëndron në qeli por me akuzën e blerjes së votave. Pikërisht për këtë çështje që përplasi Tiranën dhe Athinën zyrtare Jorgo Goro akuzon organizatën Omonia që ndezën sipas tij jo vetëm zjarrin e përçarjes përmes manipulimeve elektorale por dhe për atë për të cilën, vetë ai u arrestua në fundjavë me kërkesë të SPAK-ut.

“Megjithëse e dija se sa shumë ishin lidhur fijet e manipulimit propagandistik për gjoja shpëtimin e pronave të Himarës me fijet e manipulimit elektoral për të mbushur autobuzët me premtime dhe xhepat e pasagjerëve elektoralë me para, nuk e prisja atë rezultat. Një organizatë anadollake e minoritetit fatkeqësisht bindi një shtet të BE-së se po lufton gjoja për të drejtat e njeriut në Himarë. Po në fakt ajo organizatë orkestrohet nga njerëz të paditur, pa skrupuj dhe pa ideale. Përveç parasë dhe rakisë! Marifetçinj të babëzitur që kush i njeh e di për kë dhe për çfarë flas. Tamam një çetë nga ato të kohërave të errëta që mbahet për forcë politike. Vetëm sherrin i ka parë dhe do t’i shohë Himara dhe minoriteti grek në tërësi për sa kohë nuk do t’u bjerë maska edhe në Athinë.”

Sipas Goros, Himara është transformuar dhe çmimi i pronave të himariotëve është shumëfishuar falë dhe investimeve në turizëm. Këto të fundit, sipas kryebashkiakut të arrestuar nuk janë bërë në prona të grabituara nga shteti për llogari të oligarkëve, siç akuzohet, por të kontraktuara siç shkruan me çmime të favorshme të negociuara nga vetë pronarët himariotë të tokave.

Tv Klan