Akuzohen për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në 2012

Vrasja e Nezir dhe Gentian Beqirit babë e bir në 15 Gusht të 2012-s, ka kaluar në duar e prokurorëve të SPAK. Të dyshuar për këtë çështje janë Ardian Çapja, Florenc Çapja, dhe Ervis Bardhi. Gjykata e Elbasanit ka shpallur moskompetencën për të vijuar gjykimin e kësaj çështje pasi nga prokuroria është ngritur edhe akuza e grupit të strukturuar kriminal. 

Ardian Çapja vazhdon të marrë mjekimet në spitalin e burgut pas dy ndërhyrjeve kirurgjikale që ka bërë disa ditë më parë në repartin e kardiokirurgjisë në QSUT. 53-vjeçari u arrestua në 29 Mars gjatë operacionit “Krasta 2021”, ndërsa Florenc Çapja është shpallur në kërkim. 

Gjykata e Posaçme do të rivlerësojë masën e sigurisë për ta. 53-vjeçari Ardian Çapja i ka mohuar akuzat. Dosja u rihap në 2018-n pasi grupi hetimor gjeti gjurmën e gishtit të Ervis Bardhit në targën e automjetit që u përdorë nga autorët për t’u larguar pas vrasje së babë e bir. Rreth një vit më vonë Bardhi është paraqitur në komisariatin e policisë së Elbasanit dhe ka pranuar të rrëfejë gjithçka që dinte para hetuesve duke marrë edhe statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Tv Klan