Doza e tretë e Sinovac trefishon mbrojtjen ndaj Delta


Doza e tretë e Sinovac trefishon mbrojtjen ndaj Delta

12:53 07/09/2021

Studimi kinez: Doza e tretë gati trefishon mbrojtjen ndaj mutacionit indian

Edhe personat që kanë injektuar dy dozat e vaksinës kineze Sinovac të përdorur gjerësisht për imunizimin e popullatës në Shqipëri, mund të kenë nevojë për një dozë të tretë përforcuese.

Një studim i kryer nga shkencëtarët e Akademisë së Shkencave në Kinë, i cituar nga agjencia e lajmeve Reuters, thotë se doza e tretë frenon reduktimin e nivelit të anti-trupave me kalimin e disa javëve pas dozës së dytë dhe gati e trefishon mbrojtjen ndaj variantit Delta.

Në studim thuhet se 6 muaj pas dozës së dytë nuk u konstatua veprimtari anti-trupash kundër variantit Delta, tek të imunizuarit me Sinovac. Ndërsa injektimi i dozës së tretë 4 javë pas të dytës, gati trefishoi mbrojtjen ndaj këtij varianti. Për të arritur në këtë konkluzion, u kryen eksperimente në laborator tek 66 pjesëmarrës, gjysmës së të cilëve iu injektua doza e tretë.

Studimi nuk tregon të dhëna se sa efikase është doza e tretë në parandalimin e infektimit me COVID-19. Megjithatë, vaksina e firmës kineze Sinovac ka efikasitet të lartë në reduktimin e nevojës për shtrim në spital dhe në terapinë intensive, pas infektimit.

Kjo vaksinë është aporvuar për imunizimin e popullatës në 39 shtete të botës dhe ka marrë rekomandim për përdorim edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. 

Tv Klan






Të ngjashme