Kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla, në një shënim në Facebook, shprehet se Komisioni i Venecias u ka vënë në dispozicion një “draft paraprak” të opinionit “Mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.

Balla shkruan se për këtë draft u është kërkuar të ruajnë në mënyrë strikte konfidencialitetin dhe të mos bëjnë asnjë koment, pasi drafti është dërguar për tu konsultuar dhe komentuar nga palët.

Sipas tij, shpërndarja e copëzave apo fjalive të veçanta në raste të mëparshme të drafteve paraprake ka dëmtuar kredibilitetin e procesit të konsultimit me Komisionin e Venecias.

“Prandaj ne do të ndjekim në mënyrë strikte agjendën dhe respektojmë kërkesën për konfidencialitet prej vetë Komisionit të Venecias deri në miratimin e një opinioni final zyrtar.

Ndërkohe ekspertët tanë do të përgatisin sipas kërkesës së vetë procesit, për reflektimet e pretendimeve të palëve në Opinionin Përfundimtar. Kjo do të thotë po ashtu, se deri në marrjen e Opinionit përfundimtar zyrtar, dekreti i rikthyer nga presidenca nuk do të diskutohet dhe as shqyrtohet në Kuvend, për të respektuar deri në fund Komisionin e Venecias”, shkruan Balla. /tvklan.al