“Ajo nuk vriste një pulë, kemi hall se do të na vriten fëmijët”

Emisioni “Historia ime” në Tv Klan ka sjellë ditën e sotme ngjarjen makabër të ndodhur në ditët e para të vitit 2020. Në datë 5 Janar, tre persona kanë shkuar në banesën e Drita Saliaj, e cila jetonte e vetme në Gjerbës të Mallakastrës, ndërsa burrin dhe fëmijët i kishte në Greqi.

Tre autorët e krimit e kanë mbytur me shall Dritën, e më pas trupin e kanë transportuar në një rezervuar me ujë. Familjarët janë alarmuar, pasi Drita nuk përgjigjej në telefon dhe lajmi që mësuan më pas i tronditi tërësisht.

Autorët e krimit janë nipi i bashkëshortit të viktimës Luis Saliaj 16 vjeç, Sindi Shehaj 16 vjeç dhe Ervis Zotaj 26 vjeç. Në një lidhje telefonike gjatë emisionit, motra e viktimës, Dallëndyshe u shpreh se ishin shumë të shokuar dhe kërkojnë drejtësi.

Më tej, ajo shtoi se kanë frikë edhe për fëmijët e tyre, për një hakmarrje të mundshme, e cila do e thellonte edhe më tej tragjedinë.

Dallëndyshe: Unë jam motra e viktimës dhe jemi të shokuar me këtë që na ndodhi.

Mirela Milori: E rëndë është!

Dallëndyshe: Shumë e rëndë është, unë falenderoj njerëzit e asaj motrës sime që po bëjnë përpjekje për të gjetur drejtësinë.

Mirela Milori: Dakord, jeni ende herët dhe plaga është shumë e hapur.

Dallëndyshe: Është e hapur, por duam drejtësinë, nëqoftëse ka shtet.

Mirela Milori: Drejtësinë do ua japë ligji. Megjithatë janë të përfshirë në vrasje dy minorenë, njëri i rritur, njëri prej atyre është edhe nipi i bashkëshortit të Dritës. Si është marrëdhënia tani?

Dallëndyshe: Marrëdhënia me atë dhe fëmijët janë shumë të mira, nuk kemi si çdo çift… Janë shumë të mira, si çdo çift që ka ndonjë gërvishtje të lehtë, nuk ka asgjë për të vajtur deri në atë pikë. Pse nipi i burrit, i çoja tha në orën 12:00 të natës dhe më vranë time motër dhe tani kërkon drejtësi. O të varet o…

Mirela Milori: Si?

Dallëndyshe: Se do vejë 101, se unë i kam mbushur 60 vjet, kam lënë fëmijë mbrapa. Ka 101 nipër ajo motër dhe do vejë në hasmëri shumë të madhe, o të venë ta pushkatojnë para fshatit, atje tek varri i motrës time, ose do vejë 101 numri i viktimave. Do hapet më keq.

Mirela Milori: Dallëndyshe se jeni shumë të ngarkuar!

Dallëndyshe: Jam shumë e shokuar!

Mirela Milori: Por i besoni shtetit dhe i besoni ligjit!

Dallëndyshe: Jo nuk i besojmë shtetit fare. Se motrën time ma bënë copa –copa dhe ma hodhën në rezervuar. Çfarë iu kishte bërë motra ime? Ajo nuk vriste një pulë, një zog. Jo nipin e mbajti me bukë e me kripë, jam shumë e shqetësuar.

Mirela Milori: Të kalojë kjo vala e parë e dhimbjes, që do jetë gjithmonë e madhe dhe e pazvendësueshme dhe do jetë shteti dhe ligji, ai që duhet të veprojë.

Dallëndyshe: Ajo ka 101 nipër dhe do të hakmerren dhe do të vejë akoma dhe më keq, prandaj po u paralajmëroj, duam ligjin, shtetin.

Mirela Milori: Je ende në dhimbje, por si nënë që je do të ftohesh dhe do kuptosh që nuk është hakmarrja zgjidhje.

Dallëndyshe: I kërkoj Ministrit të Drejtësisë të vërë drejtësinë. Për të vrarë dinë ata, qenkan minorenë, 16 vjeç ai.

Mirela Milori: Ju shpreh ngushëllime se është shumë e rëndë!

Dallëndyshe: Faleminderit shumë! Jemi shumë të tensionuar se kemi hall se do na vriten fëmijët.

Mirela Milori: Jo duhet t’i mbani ju që jeni të rritur!

Dallëndyshe: Të marrin gjakun e mamasë dhe të tezes! Ju lutem se kemi hallin e fëmijëve!/tvklan.al