Bashkëpunimi me narkotrafikantët shqiptarë i ka mundësuar Ndrangetas, organizatës famëkeqe mafioze italiane, të marrë kontrollin e plotë të trafikut të drogës në brigjet italiane të Adriatikut. Këtë e pohojnë prokurorët e anti-mafias italiane, pas operacionit të madh anti-drogë të së enjtes ku ranë në pranga 10 shqiptarë mes 25 trafikantëve të arrestuar.

Prokurori i Katanxaros tha në një konferencë për shtyp se Ndrangeta kalabreze kishte marrë kontakt të drejtpërdrejtë me atë që është pagëzuar si “Klani i Vlorës” ku bënin pjesë edhe 10 të arrestuarit shqiptarë. Klani mafioz kalabrez kishte arritur të thyente grupet kriminale të Brindizit, duke u marrë atyre monopolin e marijuanës shqiptare, e duke u shndërruar kështu në lider të trafikut të drogës nga Shqipëria. Hetuesit italiane thonë se vitet e fundit, në brigjet italiane janë vërejtur edhe përplasje mes grupeve rivale të narkotrafikut që prisnin drogën nga Shqipëria.

Kjo konfirmon shqetësimin e ngritur vazhdimisht nga raportet e policisë italiane ku konstatohej se kontrolli i rrugëve të drogës nga Shqipëria ka futur në luftë grupet kriminale italiane. Po ashtu prokurori i anti-mafias italiane Federico Cafiero de Raho tha gjatë vizitës së kësaj jave në Tiranë tha se mafia italiane po bashkëpunon ngushtë me trafikantët shqiptarë të drogës.

Tv Klan